“Grotesku dhe utopitë, ekzil për krijuesit” – nga Dr. Virion Graçi

spot_img
Advertisements

Virion GRAÇI.

(Shkurtesë)

I-Mërgata dhe letërsia.

E njohim dhe e pranojmë realitetin e ri, mërgatën e re: pas heqjes së izolimit të vendit nga bota, me mundësimin e lëvizjes së lirë të njerëzve, në shumicë popullata e Shqipërisëështë zhvendosur, është shpërndarë nëpër botë. Kjo është njëra anë e medaljes, largësimi, shkëputja.Nga ana tjetër, progresi teknologjik në botë, cilësia e jetës bashkëkohore falë teknologjisë, lehtësitë e mëdha të komunikimit, tëinformacionit të ndërsjelltë, të perceptimit e të projektimit reciprok individ-shoqëri, e kanë zbutur dramën e të qenit fizikisht jashtë atdheut; ndërkohë, organizimi i jetës së përbashkët kulturore e sociale këtu, në atdheun natyror, individualizmi jo produktiv, mosfunksionimi si duhet i institucioneve ndërmjetësuese kulturore e letrare, sikurse dhe prirja e brendshme e disa shkrimtarëve e artistëve për ta krijuar një vend-veprim origjinal për heronjtë e tyre fiksionalë, ka sjellë që dukuria e mërgimit, në kuptimin shpirtëror-metafizik të përfshijë dhe njerëz që nuk i kanë kapërcyer për një kohë të gjatë jetë-ndërtuese kufijtë shtetërorë duke u rehatuar në një ‘republikë’ të tyre. Realizmi me të cilin ishim familjarizuar dhe atdheu tradicional është zëvendësuar me procedime narrative të post-modernizmit, me alegorinë, simbolikën, analogjinë apo parodinë e realiteteve.
Individi i ri në hapësirë të re, tjetërsimi i tij si proces spontan e absurd, shëmtitë e paradokset, divergjencat sociale dhe larushia brenda anëtarëve të bashkësive krijuese, botuese e kritike, dikur të centralizuara, kompakte, harmonike e të orientuara, pakësimi i pikave të përbashkëta interesit e të komunikimit, ndryshimi drastik i standardeve morale, etike e estetike të ekzistencës si krijues, si artist, ka bërë që shkrimtarë të dalluar bashkëkohorë, të reagojnë ndryshe, me revoltë e gjetje të reja, të tyre; të gjejnë strehë, të ngujohen në kategori estetike, si grotesku, për shembull, për t’i paraqitur e zhvilluar idetë e tyre dhe protagonistët e tyre në një teren të ri. Krahas groteskut, edhe utopitë individuale dëshmohen të jenë atdhe alternativ për shkrimtarë bashkëkohorë, si mënyrë për të ikur nga tradita, nga skematizmi, nga rëndomtësia, nga narrativat e sipërfaqëshme tëkronikave e të mediumeve me popullaritet. Aq e fortë është kjo prirje, aq këmbëngulëse janësprovat letrare-fiksionale sa shpesh, lexuesi i shijes tradicionale mund të jetë skeptik, dyshues tek kërkon më kot librin e tij, vetveten, mesazhe të didaktikës së atdhedashurisë, siç qe e udhës deri në formimin e shtetit shqiptar; forma të edukimit ideologjik-komunist, siç qe e detyrueshme në vitet 1945-1990 apo variante të ligjërimeve kundra-sistem, siç u pa me leverdi në 30 vitet e fundit, afërsisht.
Mërgimi te ne ka qenë gjendje natyrore e zgjidhje, ka qenë shpëtim e mundësi e madhe mbijetese, zhvillimi e lulëzimi, për arsye të ditura. Letërsia shqipe, për shkak të statusit juridik-politik e kulturor që ka pasur popullata shqiptare nën perandori, ka qenë në gjenezë letërsi e të ikurve, produkt e privilegj i shoqërive kulturore shqiptare në qytete të ndryshme të Ballkanit, deri në shpalljen e Shqipërisë shtet i pavarur. Edhe pas kësaj date, për arsye objektive e subjektive, një pjesë e rëndësishme e letërsisë, publicistikës e veprimtarive të lidhura me librin në përgjithësi, u zhvillua po ashtu jashtë kufijve shtetërorë.
Në vitet 1944-1990, për shkak të vendosjes së kontrollit të plotë shtetëror mbi botimet, krijimtarinë letrare, kritikën, publicistikën autorë të njohur që u gjendën jashtë vendit dhe autorë që u detyruan të largohen prej tij, e kryen veprën e tyre letrare në vendet ku u strehuan, M. Camaj, A. Pipa, nëse shohim më të rëndësishmit në letërsi, poezi, prozë e kritikë letrare.
Nga viti 1990 deri sot, kemi valë të madhe të ikurish, mirëfilli për arsye ekonomike; gjithsesi, numerikisht të shumtë, të shpërndarë në katër anët e botës, përbëjnë realitete më vete, fragmente të çrregullta të një mozaiku më të madh, heterogjen: në Greqi, Itali, Sh. B. A, Kanada, Francë, Gjermani, Zvicër, etj. Një pjesë e ruajnë gjuhën amtare si gjuhë shpirti, gjuhë të shprehjes artistike dhe i kanë botimet nëshqip në vendin amë; disa të tjerë, sidomos brezi i ri i tanishëm, të lindur, të rritur e tëarsimuar në vendet pritëse, kanë filluar të shkruajnë e të botojnënë gjuhët përkatëse, duke ju ngelur shqiptare vetëm origjina e autorit, temat, motivet, ngjarjet që shtjellojnë, pa përjashtuar temat ‘vendase’ apo ato kozmopolite. Dhe autorët dy gjuhësh janë po aq të zakonshëm duke qëndruar, me sa vlejnë, në të dy sistemet letrare, jo simetrikisht, diku mund të jenë në periferi e në letërsinëshqipe mund të synojnë vend më të privilegjuar.
Largimit për arsye ekonomike u janë shtuar dhe shkrimtarë/krijues që shpirtërisht nuk ndihen mirë, kanë konflikte të natyrës intelektuale-politike me autoritetet shtetërore të vendit amë. Rasti më i fundit, pesë vite më parë është shkrimtari, poeti dhe përkthyesi Agron Tufa; i detyruar të kërkojë strehim politik në Zvicër, mëse një herë ai e ka etiketuar veten ekzilant, që do të thotë: i dëbuar, i larguar për arsye politike, në prag ndëshkimi ose përndjekjeje, duke marrë ngarkesë dramatike për shkak të personalitetit në fjalë – shkrimtar dhe intelektual i njohur..
Mërgimi i njerëzve dhe mërgimi i letërsisë, pa qenë e njëjta gjë, janë të ndërvarura. Mund t’i sistemojmë llojet e mërgimit të letërsisë shqipe si më poshtë:
I-Letërsi e shkruar në mërgim. Këtu mund të shohim shkrimtarë që ndërrimi i sistemit politik-shtetëror i gjeti në mërgim. Ata vazhduan të shkruanin si dhe ti sillnin në atdhe krijimet e tyre.
II-Letërsi e shkruar nga mërgimtarë të rinj, të pas viteve ’90-të deri në ditët tona. Kjo prurje karakterizohet nga qëndrimi realist-kritik ndaj kaosit të tranzicionit si dhe malli, riciklimi tematik i së shkuarës nën diktaturë, nga pozita të përvojës e dhimbjes vetjake.
III-Letërsi e emigruar. Te letërsi e emigruar nënkuptoj letërsi të autorëve shqiptarë të cilët, për arsye tregu a për lehtësi shprehie e komunikimi me një publik sa më të gjerë, i shkruajnë veprat e tyre në gjuhë të huaja duke e parë si shqipen si gjuhë të dytë ose gjuhë të përkthimit të mundshëm, nga dikush tjetër. Pa dashur të provokojmë debat, theksojmë se përsa kohë letërsitë klasifikohen për nga shprehja gjuhësore origjinale, kjo nuk mund të jetë letërsi shqipe, pavarësisht temave nga historia e kultura shqiptare. Përjashtim bëjnë shkrimtarët dy gjuhësh, që e sjellin po vetë në shqip veprën e tyre.
Një grupim i katërt, sipas retorikës ditore të institucioneve shtetërore të kulturës e arsimit në Shqipëri mund të ishte letërsia e diasporës. Nuk mund të pajtohemi me këtë koncept. Në një anë krijon kushte privilegjuese, pra, të konsiderohet letërsi në nevojë, të ketë investime shtesë për shkak të vend-ndodhjes së autorit, rrethanave jetësore të tij, duke i ruajtur një vend në letërsinë e tërësishme shqipe; nga ana tjetër, mund të krijojë një barrierë paragjykimi negativ për publikun, pra, ata, të diasporës nuk premtojnë mjaftueshëm, nuk janë në kushte të njëjta natyrore, sociale, kulturore me autorët e njëmendtë shqiptarë, me realitetin ditor a historik, me kontekstet shumë shtresorë të traditës e të përditshmërisë.
Sa për letërsinë e sotme që në origjinal nuk është në shqip, nuk mund të përvetësojmë diçka që nuk na takon dhe nuk mund të modifikojmë enkas terma për ta përligjur përfshirjen e saj si letërsi shqipe. Gjuha shqipe është gjuhë zyrtare dhe gjuhë kulture; gjuha jonë nuk është gjuhë me shtrirje në popullsi jo shqiptare, sikurse kanë qenë dhe janë gjuhët e perandorive a ish perandorive ku këto probleme e dukuri janë të diskutueshme në fazat post-koloniale ku gjuha e origjinës në grupe etnike, shtresa sociale e popuj të përfshirë në kufijtë e përbashkët, bashkëjeton a i nënrendohet gjuhës së elementit dominues të perandorisë, gjuhës së saj zyrtare, administrative e arsimore; për autorët që krijojnë në gjuhë të tjera, duhet respektuar vullneti i tyre.

II. Ekzili si pavarësim.

Mërgimi, si formë jetese jashtë atdheut mund të jetë zgjedhje e vullnetshme, për motive ekonomike dhe ka një kuptim më neutral, nënkupton shpresën e mundësinë e rikthimit, të pajtimit me vendin. Kësisoj është njerëzore që largësia të afron me vendin e origjinës, me ngjarjet, prirjet, diskutimet, zhvillimet. Të larguarit për një kohë të gjatë, mërgimtarët mund të jenë më të përditësuar me ngjarjet ditore se sa ata që janë në vend-ngjarje; lehtësitë në lëvizje, në komunikim e mundësojnë më së miri njohjen dhe në përjetimet e tyre, në shprehitë e tyre është e kuptueshme një dozë zbukuruese, një prirje romantike për t’i parë gjërat me optimizëm, me relativizëm. Ndërkohë, ‘vendasit’, duke qenë përballë gjithfarë dukurish, zhgënjimesh, pamjesh të shëmtuara, demoralizuese, rreken ta gjejnë një ‘atdhe alternativ’, pikërisht përmes imagjinatës prodhuese artistike.
Për shoqëri si të sotmet, citojmë: “Problemi konsiston në atë se shoqëria kombëtare post-moderneështë një enë qelqi që plasaritet, që rrjedh, pikon dhe ka rrezik të shkrihet. Masa e qytetarëve ‘normalë’, që nuk ka ndonjë prejardhje ‘të çuditshme’ dhe që duket se nuk ka probleme identiteti, fillon t’i përngjajë gjendjes likuide të ‘tjetrit’. Studime të ndryshme kanë treguar se individualizmi i skajshëmështë i lidhur me një gjendje avulluese zakonesh dhe me një karnaval identitetesh të ndryshueshme”, (R. Bartra, 2017:30-31)
Kështu, te elitat artistike, si pararendëse dhe promovuese të shoqërive post-moderne, mund të vërejmë me lehtësi si autorë letrarë bëjnë të tyre ekzilin shpirtëror, vetë-syrgjynosen, izolohen në botët e tyre fiksionale, u dorëzohen vendeve fiktive, paradigmave arketipore, eposeve, fabulave të njohura nga folklori a nga klasikë të ndryshëm botërore. Janë një sërë autorësh e veprash, nën përcaktimin e përbashkët autorë e vepra të post-modernitetit, ose me elementë të spikatur të narrativës post-moderne. Gëzim Aliu, (Prishtinë, 1977), është njëri prej shkrimtarëve të tillë, studiues e romancier i dalluar për konfrontimet pa kompromis me gjendjet tona kolektive, duke u shkuar ndesh narrativave ekzaltuese, fasadave false dhe paradave pa shije. G. Aliu dallon për botët paralele fiksionale, me theksime të forta grotesku a utopie. Mbi të gjitha, me gjuhën e artit polemizon, shtron çështje të mprehta. Kemi parasysh katër romane të mirënjohur të tij: “Në Klubin e të shëmtuarve” (2009); “Katedralja pa kryq”, 2014; “Gosti në natën e parë të vjeshtës”, 2017; “Sëmundje dhe perëndi”, 2023 që, në mënyrën e tyre provojnë si autorët tanë, pa provuar mërgimin si gjendje fizike, provojnë letërsinë si mundësi atdhesimi, pa u shartuar me anti-vlerat, banalitetin, manierizmat.

spot_img

Latest articles

Related articles