Socialisti Erion Braçe ka treguar për herë të parë se frymëzimin për të shpallur kandidaturën për Bashkinë e Tiranës e ka marrë nga socialistët e Njësisë 5 në kryeqytet, të cilët e kanë mbështetur dhe duartrokitur.
I ftuar në “Top Story”, ai tregoi se salla u çua në këmbë, përveç “Presidiumit”, që mesa duket nuk e ka pritur mirë. Këtu, tregoi ai, ka nisur gjithçka sepse ai nuk pret që Partia Socialiste të shuhet, por anëtarësia të reagojë. I pyetur nga Grida Duma nëse lëvizja e tij vinte si parandjenjë se është në mandatin e fundit si deputet, ai tha:
“Mua nuk më shkon as për staturë edhe të mbaj armë. Jo nuk është fare kjo. Gjëja nuk ka nisur në media apo në kafene, ka nisur në Asamblenë e PS në Njësinë nr.5. Nën përgjegjësinë time politike dhe të paktën ka 1 vit që në atë asamble unë jam përpjekur të ushqej njerëzit të flasin.”
“Kam lëvizur gjatë këtyre ditëve në këto mbledhje që po zhvillohen nëpër Tiranë dhe më vjen keq që nuk kam gjetur tek ato siç flitet te Njësia nr.5. Unë kam folur brenda asamblesë atje dhe ka arsye që më shtyn ta bëjë këtë: partia nuk mund të kthehet në një mur ku ngjiten kohë pas kohe njoftime për kryetar partie, për të deleguar, njoftime për kryetar bashkie, njoftime për të deleguar në qarqe.
Jo, partia nuk mund të funksionojë kështu, për njoftime që ngjiten në mur. Sepse nëse vazhdon kështu, mund të vijë dhe ndonjë njoftim më i rënd, për fundin e partisë. Unë kam dashur ta thyejë këtë praktikë që bie ndesh me parimet e mia dhe të PS.
E dyta, është Tirana, kryeqyteti. Unë jam deputet dhe kam parë se çfarë shkon e çfarë nuk shkon. Tirana as qeveriset dhe as vetëqeveriset. Unë e thashë dhe në mbledhjen e asamblesë që jeni ju nxitësit. Ata u çuan në këmbë dhe duartrokitën. Ishte e gjithë salla, me përjashtim të presidiumit”, u shpreh Erion Braçe.
Deputeti socialist u shpreh publikisht se nuk ka marrë leje nga Edi Rama, duke shuar zërat e kritikëve se kandidatura e tij në një kohë kur kryeministri mbështet Ogerta Manastirliun, është thjesht për konsum publik.
“Nuk kam marrë lejë për garën për Bashkinë e Tiranës, siç nuk kam marrë leje për qëndrimet e tjera, të cilat kanë qenë shumë të pastra. Kam gjetur veten në ato që kam thënë dhe i kam çuar deri në fund”, u përgjigj ai.
Duke dëgjuar përgjigjet e tij, Grida Duma e pyeti se si ka mundur Erion Braçe të rezistojë deri tani, ndërsa deputeti socialist insistoi se të qenit pranë njerëzve, terrenit dhe të vërtetës, ai ka mundur të mbijetojë si kritik brenda Partisë Socialiste.
“Unë jam thjesht deputet në PS, u bënë shumë vite, për pak javë bëhen 30, por i zgjedhur dhe jo i emëruar. Unë mendoj që Edi Rama e ka lejuar (disidencën e tij në PS) dhe nuk do vazhdoj të marrë leje, sepse ato që kam thënë kanë qenë të drejta dhe të vërteta.
Kam thënë ato që vijnë nga territori, nga njerëzit. Por ka pasur dhe të tjerë brenda PS që kanë thënë gjëra të vërteta, të drejta, të lidhura me njerëzit dhe interesat e drejta”, vijoi Erion Braçe.



