Një ditë pasi shpalli publikisht kandidaturën, aktivistja Evi Kokalari ka sfiduar publikisht Sali Berishën për kreun e Partisë Demokratike, zgjedhje të cilat do të mbahen në 23 maj të këtij viti.
Në një shënim të gjatë në Facebook, Evi Kokalari shkruan se ka integritetin e duhur për t’u përballur me Sali Berishën për kreun e PD-së. Kokalari shkruan se këto ditë, do të dorëzojë zyrtarisht kërkesën për t’u futur në garë për të drejtuar demokratët.
Po ashtu aktivistja ka hedhur akuza të forta ndaj kreun të FRPD-së, Besart Xhaferri, se është i “pafytyrë” dhe se “që jep mend për këtë parti ndërkohë që është futur pa asnjë meritokraci në Këshillin Kombëtar, kryesi dhe parlament”.
Më tej, Kokalari shkruan se PD ka nevojë për rehabilitim, e cila sipas saj do të çojë në rrëzimin e Ramës nga qeveria.
“Vetëm me pikat më lart, them se jam në mënyrë absolute personi i duhur jo vetëm për një rehabilitim total të PD-së, por edhe për heqjen e Edi Ramës brenda një deri në dy vjet nga marrja e PD-së dhe, si pasojë, për një rehabilitim total të qeverisë dhe parlamentit, në mënyrë që të kemi një shtet funksional, pa korrupsion, që punon për popullin dhe jo anasjelltas”, thekson ajo në postimin e saj.



