“Bëra hundën, por nuk marr dot frymë”, pacienti denoncon Family Hospital për operacionin që i shtrembëroi hundën

spot_img
Advertisements

Një qytetar ka denoncuar në emisionin Fiks Fare, se pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në hundë, jo vetëm që nuk i është përmirësuar frymëmarrja, por gjendja i është rënduar dhe pamja estetike i është deformuar.

Franci Ajdinaj tregon për emisionin Fiks Fare se ka kryer një operacion në hundë pranë Family Hospital, nga mjeku Tedi Minarolli. Sipas tij, fillimisht kishte një problem të lehtë me frymëmarrjen, ndërsa vendosi që, krahas ndërhyrjes funksionale, të kryente edhe një korrigjim estetik.

“Shkova për një problem të vogël me frymëmarrjen dhe mendova të rregulloja edhe pjesën estetike. Mjeku më tha se ndërhyrja bëhej vetëm në privat, ndaj vendosa ta bëj te Family Hospital,” shprehet Ajdinaj.

Ai pretendon se kishte rënë dakord për një ndërhyrje me teknikë të hapur, por operacioni është kryer me teknikë të mbyllur.

“Kur dola nga operacioni dhe e kuptova që ishte bërë me teknikë të mbyllur, e pyeta mjekun pse nuk u bë siç ramë dakord. Ai më tha se është e njëjta gjë”, tregon qytetari.

Pas operacionit, Ajdinaj shprehet se hunda i ka mbetur e shtrembër dhe se ka probleme më të mëdha me frymëmarrjen sesa para ndërhyrjes. Ai thotë se ka kryer konsulta të tjera mjekësore, ku i është sugjeruar se operacioni mund të ribëhet, por ndërhyrja do të kërkonte materiale kockore nga veshi ose brinja dhe do të kushtonte nga 15 deri në 20 mijë euro.

Sipas tij, klinika nuk mban përgjegjësi dhe nuk ka pranuar të ribëjë operacionin.

Ndërkohë, Ajdinaj thotë se disponon edhe një dokument konsulte nga një spital tjetër, ku i është rekomanduar ribërja e operacionit.

spot_img

Latest articles

Related articles