Aktori i njohur i humorit Albano Bogdo ka folur hapur për jetën e tij sentimentale në Grida Duma Podcast, duke surprizuar me një rrëfim të sinqertë për katër fejesa dhe raportin e tij me dashurinë.
“Jam fejuar katër herë,” tha Bogdo gjatë intervistës, duke theksuar se secila histori ka qenë e rëndësishme në mënyrën e vet.
Bogdo foli edhe për arsyet pse lidhjet e tij nuk kanë funksionuar, duke kundërshtuar perceptimin se është “i paqëndrueshëm”.
“Më duan shumë njerëz, thjesht s’ka funksionuar. Unë kështu funksionoj. Në qoftë se nuk pëlqen… nuk mund të ndryshoj 75% të vetes që të ndihesh ti e lumtur. Ç’kuptim ka bota në qoftë se unë s’jam vetvetja ta shijoj?”
Ai pranoi se dashuria ka nevojë për nuanca, madje edhe për pak “toksicitet”, por vetëm deri në një pikë.
“Kur bëhet pak më shumë se ç’duhet, pastaj nuk duhet më,” tha ai.
Një nga momentet më të ndjera të bisedës ishte kur Grida Duma e pyeti drejtpërdrejt nëse, në këtë fazë të jetës, mund të bëhet baba. Bogdo pranoi se për vite me radhë ka pasur një frikë të madhe që lidhet me figurën e atit.
“Fobia më e madhe që kam pasur gjithë jetën… është sepse e njoh shumë mirë veten dhe i ngjaj shumë babait tim. Në qoftë se vendos të bëhem baba, vendos me dëshirën më të madhe në botë për të qenë babai i tyre derisa të vdes, t’u jem prezent gjithë kohës. Nuk më bënte askush të ndihesha se doja të bëhesha baba,” deklaroi aktori.
Rrëfimi i tij vjen si një tjetër dëshmi e një momenti më të pjekur për aktorin, që përtej humorit dhe ironisë, flet me ndershmëri për dashurinë, frikërat dhe përgjegjësinë e madhe që sjell familja.



