nga Xhodi Hysa
HBO ka qenë prej dekadash sinonim i cilësisë absolute në televizion. Nga Soprano, The Wire, Rome, Game of Thrones, emri Warner Bros. Discovery mbetet një nga shtyllat e Hollywood-it.
Por beteja e fundit për kontrollin e saj tregoi se industria e medias sot është më shumë se art. Është pushtet.
Në dhjetor, Netflix arriti një marrëveshje për të blerë asete të rëndësishme të WBD. Një lëvizje që do ta shndërronte gjigantin e streaming në dominues pothuajse absolut të përmbajtjes globale.
Por gara nuk mbaroi aty.
Paramount Skydance, e drejtuar nga David Ellison, ndërhyri me një ofertë prej 111 miliardë dollarësh për të gjithë kompaninë. Një ofertë më e lartë, më agresive — dhe përfundimisht fituese.
Netflix vendosi të mos e rrisë ofertën dhe u tërhoq. Por, kjo nuk ishte thjesht një luftë tregtare. Ajo qe një betejë POLITIKE.
Nëse Netflix do të fitonte, do të konsolidohej një epokë e re ku streaming dominon gjithçka: prodhimin, shpërndarjen dhe IP-të historike të Hollywood-it. Por do të fitonte dhe liberalizmi anti Trump.
Me fitoren e Paramount, modeli klasik “studio + kinema + televizion + IP afatgjatë” mbetet në lojë.
Por dimensioni politik e bën këtë histori edhe më interesante.
Donald Trump ndërhyri publikisht duke kritikuar Netflix dhe duke kërkuar largimin e Susan Rice nga bordi i kompanisë. Ndërkohë, David Ellison ishte i pranishëm në State of the Union si i ftuar i Lindsey Graham.
Mesazhi është i qartë: në SHBA, media, politika dhe kapitali i madh janë thellësisht të ndërthurura.
Një bashkim Netflix–WBD do të përballej me presion të fortë antitrust. Do të ngrinte shqetësime për dominim tregu dhe kontroll narrativ.
Prandaj, kjo fitore e Paramount nuk është vetëm një marrëveshje korporate por një rivendosje ekuilibri në industrinë globale të medias.
Hollywood po konsolidohet. Streaming po riformatohet dhe politika është gjithmonë aty, në prapaskenë.
Ne foto
David Ellison Paramount, Greg Peters WBD dhe Ted Sarandos Netflix



