Gazetari Lavdrim Lita, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, deklaroi se “reformat e kanë çmendur popullin”.
“Unë kam filluar të kem pak alergji nga fjala “reforma” sepse më duket sikur është një nga 100 mënyrat për ta çmendur këtë popull. Reforma e pronës. Janë bërë dhjetëra ligje, qindra ligje për të mos ia dhënë pronën qytetarëve shqiptarë. Çdo vit, çdo katër muaj kemi një reformë pensionesh dhe pensionistët shqiptarë janë me pensione përtokë dhe shkojnë nëpër tregje, fusin nga një domate dhe një kastravec në xhep. Të gjitha reformat e tyre kanë qenë të “suksesshme”, Partisë Demokratike, të Partisë Socialiste dhe partive të tjera, LSI-së, Shpëtim Idrizit dhe të gjithë këta. Siç ishte Reforma Territoriale Administrative, “salamandra elektorale”. Për qytetarët shqiptarë, reforma në arsim është një shkatërrim i arsimit, sepse statistikat e Pizës e tregojnë arsimin e Shqipërisë shkatërrues nga reformat e këtyre”, tha Lita.
“Reforma në Drejtësi. Unë jam kundër kësaj kulturës, kulturës së OJQ-ve, kulturës së industrisë që kanë krijuar me reformat, se ka mijëra njerëz, mijëra ekspertë që përfitojnë nga bërja e reformave. Mbaj mend tek ajo Reforma Territoriale, ishin ca që quhej projekti star i suedezëve. Mblidhnin 10 veta atje në Maliq. I vishnin me rroba, i fotografonin, i çonin në Vaun e Dejës, nga Vau i zbrisnin në Shkodër, pastaj i merrnin dhe i çonin në Elbasan po të njëjtët njerëz dhe ia shisnin shqiptarëve se po bënin Reformë Territoriale. Ishte industria e OJQ-ve që vidhnin paratë e ndërkombëtarëve, paratë e qytetarëve shqiptarë gjasme se po bënin konsultim publik dhe me këto reformat e kanë çmendur këtë popull”, shtoi Lita



