Bot, chatbot, feed, privacy, deepfake, click-bait. Është një vështrim i vëmendshëm ai i Papa Luanit XIV në Mesazhin e tij për Ditën e 60-të Botërore të Komunikimeve Sociale drejt teknologjive të reja, gjuhëve të tyre, valës së risive dhe lehtësive që ato sjellin në jetën e njerëzve dhe të shoqërisë, por edhe drejt paqartësive dhe rreziqeve të shumta – “mashtrimet digjitale” dhe “kibernetika” janë disa nga ato të përmendura – që ato sjellim me vete.
Një grusht kompanish, pas një force të jashtëzakonshme
Një “forcë e padukshme, e jashtëzakonshme”, pas së cilës qëndron “vetëm një grusht kompanish, themeluesit e të cilave u paraqiten kohët e fundit si krijuesit e personit të vitit 2025, domethënë, arkitektët e Inteligjencës Artificiale”, shkruan Papa Leoni në dokumentin, botuar sot, më 24 janar, në kujtim të Shën Françeskut të Sales, Pajtorit qiellor të shtypit katolik. Ati i Shenjtë flet gjithashtu për “kontrollin oligopolistik” të sistemeve algoritmike dhe të IA-së (Inteligjencës artificiale) të afta për të “drejtuar në mënyrë delikate sjelljet, e madje për të rishkruar historinë njerëzore – përfshirë historinë e Kishës – shpesh, pa e kuptuar vërtet”.
Të udhëhiqet inovacioni
Në Mesazh, Papa bën thirrje për udhëzim, qeverisje dhe drejtim lidhur me këtë botë dixhitale në zhvillim e sipër, në mënyrë që teknologjitë e përparuara të bëhen “aleatë” të njerëzimit, e jo orakuj të gjithëdijshëm e, aq më pak, zëvendësuese të marrëdhënieve dhe të komunikimit.
Sfida para nesh nuk është ta ndalojmë inovacionin dixhital, por ta udhëzojmë, të jemi të vetëdijshëm për natyrën e tij ambivalente. Është detyrë e secilit prej nesh të ngrejë zërin në mbrojtje të qenieve njerëzore, në mënyrë që këto mjete të mund të integrohen vërtet nga ne, si aleatë.
Fytyra dhe zëra njerëzorë
Është komunikim i bërë nga “fytyra” dhe “zëra”, çka kërkon Pasardhësi i Pjetrit. Fytyra dhe zëra njerëzorë, të vërtetë, autentikë, jo ata të simuluar nga IA (Inteligjenca artificiale), e cila në këtë epokë “shumëdimensionale” e bën “gjithnjë e më të vështirë dallimin e realitetit nga trillimi”. Pikërisht “Ruajtja e fytyrave dhe zërave njerëzore” është tema e zgjedhur për edicionin e vitit 2026 të Ditës së Botërore të Komunikimeve Sociale themeluar me Dekretin Inter Mirifica (1963) të Koncilit II të Vatikanit.
“Fytyra dhe zëri janë të shenjtë. Na janë dhuruar nga Zoti, i cili na krijoi sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë së Tij”, pohon Papa
Ne nuk jemi specie e përbërë nga algoritme biokimike, të përcaktuara paraprakisht. Secili prej nesh ka një thirrje të pazëvendësueshme dhe të paimitueshme, që del nga jeta dhe manifestohet pikërisht në komunikimin me të tjerët.
Sfida antropologjike
Teknologjia dixhitale rrezikon “të ndryshojë rrënjësisht disa nga shtyllat themelore të qytetërimit njerëzor”, e madje, të simulojë “urtinë dhe njohurinë, vetëdijen dhe përgjegjësinë, empatinë dhe miqësinë”, vëren Papa. Sistemet artificiale përfundojnë kështu, duke pushtuar “nivelin më të thellë të komunikimit, atë të marrëdhënieve ndërmjet qenieve njerëzore”.
“Prandaj, sfida nuk është teknologjike, por antropologjike. Ruajtja e fytyrave dhe zërave në fund të fundit do të thotë ruajtja e vetvetes”.
Dobësimi i kapacitetit të dëgjimit dhe mendimit
Sot, vëren Leoni XIV, ndodh në fakt që “algoritmet e projektuara për të maksimizuar angazhimin në rrjetet sociale – fitimprurëse për platformat – shpërblejnë emocionet e shpejta”, dhe mbyllin kështu “grupe njerëzish në flluska të konsensusit të lehtë”, “dobësojnë aftësinë për të dëgjuar e për të menduar në mënyrë kritike dhe rrisin polarizimin shoqëror”. Gjithë kësaj i shtohet “një besim naiv dhe pa kritikë ndaj Inteligjencës Artificiale”, sikur ajo të ishte një “‘mikeshë’ e gjithëdijshme, shpërndarëse e çdo informacioni, arkiv i çdo kujtese, ‘orakull’ i çdo këshille”. “E gjithë kjo mund të gërryejë më tej aftësinë tonë për të menduar analitikisht dhe në mënyrë krijuese, për të kuptuar brendinë dhe për të dalluar ndërmjet sintaksës e semantikës”, paralajmëron Leoni. E jo vetëm: zgjedhja e “një përmbledhjeje statistikore artificiale” në fund të fundit përfundon duke “gërryer kapacitetet tona njohëse, emocionale dhe komunikuese”.
Rreziku i çmontimit të industrisë së muzikës dhe arteve
Në këtë drejtim, Papa paralajmëron për një rrezik të mëtejshëm: kontrollin e IA-së mbi prodhimin e teksteve, muzikës dhe videove.
Një pjesë e madhe e industrisë krijuese njerëzore rrezikon kështu të çmontohet dhe të zëvendësohet me etiketën “E mundësuar nga IA”, duke i transformuar njerëzit në konsumatorë të thjeshtë pasivë të mendimeve të pamenduara, produkteve anonime, pa autorësi, pa dashuri. Ndërkohë, kryeveprat e gjenialitetit njerëzor në fushat e muzikës, artit dhe letërsisë reduktohen në një terren të thjeshtë për makinat.
Pyetja është themelore: “Të heqësh dorë nga procesi krijues dhe t’ua dorëzosh funksionet mendore dhe imagjinatën tënde makinave” është ekuivalente me “varrosjen e talenteve që kemi marrë për t’u rritur si njerëz në lidhje me Zotin dhe të tjerët”.
“Do të thotë të fshehim fytyrën tonë dhe të heshtim zërin tonë”.
Chatbot-e pushtues dhe tepër “të dashur”
Në Mesazhin e tij, Papa Leoni hyn edhe më thellë në thelbin e teknologjive të reja. Prandaj paralajmëron kundër “chatbot-ëve” ose “ndikuesve virtualë”, agjentëve të automatizuar që, me “ndërhyrjet e tyre jo-transparente” në burime (rrjedha informacioni), janë në gjendje të ndikojnë në debatet publike dhe zgjedhjet e njerëzve. Kjo është “bindje e fshehur” nga chatbot-ët që, me “strukturën e tyre dialogjike dhe adaptive” e me “mimikën”, janë të aftë të “imitojnë ndjenjat njerëzore dhe kështu të simulojnë marrëdhëniet”. Ky “antropomorfizim”, vëren Papa Leoni, ” mund të jetë madje edhe zbavitës”, por në të njëjtën kohë, është “mashtrues”, veçanërisht për më të prekshmit.
“Chatbot-ët e bërë tepër të dashur, e gjithmonë të pranishëm dhe të disponueshëm, mund të bëhen arkitektë të fshehur të gjendjeve tona emocionale dhe kështu të pushtojnë sferën e intimitetit të njerëzve”.
Teknologji, që duhet bërë për njerëzit, të cilët e dinë çfarë duan të bëjnë, për njerëzit dhe individët, në mënyrë që të mund të ndërtojnë strukturën, kulturën dhe politikën shoqërore.
Nëse i zëvendësojmë marrëdhëniet me të tjerët, me ato të inteligjencës artificiale “të krijuara për të kataloguar mendimet tona” dhe kështu “të ndërtojmë një botë pasqyrash rreth nesh”, paralajmëron Papa, “lejojmë veten të na vidhet mundësia e takimit me të tjerët”.
Pa përqafuar tjetërsinë, nuk mund të ketë as marrëdhënie dhe as miqësi.
Shtrembërime, realitete paralele
Një sfidë tjetër e madhe në këtë drejtim është ajo e paragjykimeve, perceptim i ndryshuar i realitetit, i shkaktuar nga modelet e Inteligjencës Artificiale që mund të “imponojnë mënyra të të menduarit duke replikuar stereotipet dhe paragjykimet e pranishme në të dhënat mbi të cilat ato mbështeten” dhe madje “të na bëjnë të mbetemi të bllokuar në rrjete që manipulojnë mendimet tona dhe përjetësojnë e thellojnë pabarazitë dhe padrejtësitë ekzistuese shoqërore”.
Rreziku është i madh dhe mund të çojë në fabrikimin e “realiteteve paralele”, ku mundësia statistikore kalohet si njohuri dhe përafrimi, si e vërtetë. “Halucinacione të vërteta”, shkruan Leoni XIV, të cilat mund të ndikojnë edhe në botën e medias. “Një dështim për të verifikuar burimet, i kombinuar me krizën e gazetarisë në terren”, mund të nxisë vërtet “një terren edhe më pjellor për dezinformim”.
Sigurimi i respektit për dinjitetin njerëzor
Papa identifikon tri “shtylla” përballë këtyre sfidave. Përgjegjësia, bashkëpunimi dhe edukimi. Përgjegjësia, para së gjithash, është për ata që drejtojnë platformat online, në mënyrë që “strategjitë e korporatave të mos udhëhiqen vetëm nga kriteri i maksimizimit të fitimit, por nga një vizion largpamës, që ka parasysh dinjitetin e secilit person dhe të mirën e përbashkët, në të njëjtën mënyrë që secili prej tyre të kujdeset për mirëqenien e fëmijëve të tij”. Po kështu, krijuesit dhe zhvilluesit e modeleve të IA-së (Inteligjencës artificiale) thirren të sigurojnë “transparencë dhe përgjegjësi sociale në lidhje me parimet e projektimit dhe sistemet e moderimit që qëndrojnë në themel të algoritmeve të tyre dhe modeleve të zhvilluara, në mënyrë që të nxisin pëlqimin e informuar nga përdoruesit”. E njëjta përgjegjësi kërkohet edhe nga ligjvënësit kombëtarë dhe mbikombëtarë, në mënyrë që të mund të “sigurojnë respekt për dinjitetin njerëzor” përmes rregulloreve që mbrojnë njerëzit nga lidhjet emocionale me chatbot-et dhe “përmbajnë përhapjen e përmbajtjes së rreme, manipuluese ose mashtruese.
Mbroni punën e gazetarëve dhe krijuesve të përmbajtjes
Nga ana e tyre, këmbëngul Papa, kompanitë e mediave dhe të komunikimit nuk mund të lejojnë që “algoritmet e orientuara drejt fitimit të betejës për disa sekonda shtesë vëmendjeje me çdo kusht, të mbizotërojnë mbi besnikërinë ndaj vlerave të tyre profesionale, që synojnë ndjekjen e së vërtetës”.
Besimi i publikut fitohet përmes saktësisë dhe transparencës, jo duke ndjekur ndonjë lloj angazhimi. Përmbajtja e krijuar ose e manipuluar nga IA (Inteligjenca artificiale) duhet të shënohet qartë dhe të dallohet nga përmbajtja e krijuar nga njerëzit.
Shkurt, “autorësia dhe pronësia sovrane e punës së gazetarëve dhe krijuesve të tjerë të përmbajtjes duhet të mbrohet”, sepse “informacioni është një e mirë publike” dhe nuk mund të bazohet në errësirë, por në transparencë dhe një standard të lartë cilësie.
Bashkëpunim dhe edukim
Prej këndej, bashkëpunimi. “Asnjë sektor nuk mund të përballojë i vetëm sfidën e udhëheqjes së inovacionit dixhital dhe qeverisjes së IA-së.” Ne duhet të “krijojmë mekanizma mbrojtës” dhe të përfshijmë të gjitha palët e interesuara për të “mundësuar qytetarinë dixhitale të informuar dhe të përgjegjshme”. E këtë synon arsimi, thekson Papa. Është urgjente, sipas tij, të hyjë “media, informacioni dhe shkrim-leximi mbi IA-në (Inteligjencën artificiale)” në sistemet arsimore, në të gjitha nivelet. Disa institucione civile tashmë po e realizojnë atë, por ne “si katolikë”, pohon Papa, “mund dhe duhet të kontribuojmë në mënyrë që njerëzit – veçanërisht të rinjtë – të fitojnë aftësinë për të menduar në mënyrë kritike dhe të rriten në lirinë e shpirtit”. I njëjti shërbim duhet t’u ofrohet edhe të moshuarve dhe anëtarëve të pafuqishëm të shoqërisë, shpesh “të përjashtuar përballë ndryshimeve të shpejta teknologjike”.
Është e rëndësishme të edukohet dhe të edukojë për ta përdorur inteligjencën artificiale me qëllim që, dhe në këtë kontekst të mbrohet pamja (foto dhe audio), fytyra dhe zëri i dikujt, për të parandaluar përdorimin e tyre e për të krijuar përmbajtje dhe sjellje të dëmshme, të tilla si mashtrimi dixhital, ngacmimi kibernetik dhe falsifikimet e thella që shkelin privatësinë dhe intimitetin e njerëzve pa pëlqimin e tyre.
Alfabetizimi dixhital
“Ashtu si revolucioni industrial kërkonte shkrim-lexim bazë për t’i mundësuar njerëzve të reagonin ndaj gjërave të reja, ashtu edhe revolucioni dixhital kërkon shkrim-lexim dixhital”, përfundon Papa Leoni XIV.
Kemi nevojë ta ruajmë dhuratën e komunikimit si e vërteta më e thellë e njeriut, drejt së cilës duhet të udhëhiqet çdo inovacion teknologjik.



