Sali Berisha ka zhvilluar pasditen e kësaj të diele, një bashkëbisedim me qytetarët dhe simpatizantët e tij në zonën e Kombinatit në Tiranë.
Berisha ka theksuar se demokratët janë në agun e vërtetë të një fitoreje të pashmangshme.
“Kam ardhur sot tek ju për një bisedë që duhet ta bëjmë me njëri-tjetrin, duhet ta bëjmë me çdo demokrat, në mënyrë që të kuptojmë, të realizojmë se sot ne jemi në agun e vërtetë të një transformimi të madh. Sot, ne jemi në agun e vërtetë të një fitoreje të pashmangshme në betejat e saj, të opozitës shqiptare. Unë, jam i vetëdijshëm se ju me të drejtë jeni të dëshpëruar, jeni të lodhur, të mërzitur, një opozitë e pamerituar 13 vjeçare është stërmunduese. Jam i vetëdijshëm se armiku që ne kemi përballë nuk respekton asnjë rregull, por nga ana tjetër jam i vetëdijshëm dhe i sigurtë se ne së bashku sot, jemi në prag të përmbushjes së misionit tonë historik të shpëtimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve nga narkodiktatura, apo diktatura autokratike, e cila në shumë aspekte ka shkatërruar dhe dëmtuar qënien shqiptare më shumë se çdo regjim tjetër në tërë historinë e këtij vendi.
Kreu i narkoekzekutivit të sotëm, Edi Rama është sjellë me opozitën me të njëjtën moral, me të njëjtën urrejtje, me të njëjtën armiqësi të paraardhësve të tij.
Natyrisht, nuk është më koha e diktaturave totalitare ku pluralizmi ndalohej me Kushtetutë, por sot ky përdor çdo mjet për të shtypur pluralizmin, për të shtypur opozitën.
Përveç gjahut të shtrigave që bën ndaj opozitarëve, punës së tyre, bizneseve të tyre e me radhë, nuk ngurron të arrestojë, persekutojë, njëlloj si etërit e tij, drejtuesit e opozitës. Edi Rama në këto 13 vite shkatërroi institucionin më themelor të demokracisë, por edhe të dinjitetit, votën e lirë. Ai qëndron në pushtet duke plaçkitur votën. Me lidhjet e tij të krimit, ai ka ngritur në piedestal kartelet e drogës, vrasësit serialë, me qeveritarët e tij dhe familjen e tij ka vendosur sistemin e plaçkitjes më të pamëshirë që shqiptarët kanë njohur në tërë historinë”, tha Berisha



