Ndërsa Tirana “rritet” me ritme të shpejta dhe popullsia e saj shtohet vit pas viti, infrastruktura e kanalizimeve po mbetet pas nevojave të investimeve reale.
Një auditim i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) nxjerr në pah një panoramë shqetësuese: Investime të pakta, menaxhim joefikas dhe rrezik serioz për mjedisin dhe shëndetin publik.
Në auditimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) nënvizohet se nga 7 miliardë lekë apo rreth 70 milionë euro investime të kryera në një dekadë nga Ujësjellës Kanalizimet Tiranë, shuma e investimeve për sistemin e kanalizimeve, mbetet shumë larg nevojave reale.
KLSH konstaton se nga viti në vit nuk ka pasur një harmonizim të vlerave që investohen në kanalizime, duke u luhatur në disa raste nga 2% deri në 58%.
“Fondet e destinuara për përmirësimin e rrjetit të kanalizimeve të qytetit të Tiranës kulmojnë në vitin 2015, ku pesha e këtyre fondeve zinte 58% të investimeve vjetore, ndërsa në vitin 2022 shënohet përqindja më e ulët e investimeve për përmirësimin e sistemit të kanalizimeve, me vetëm 2.1%, pavarësisht se ishte viti me buxhetin më të madh total të investimeve (rreth 2.8 miliardë lekë). Për gjithë periudhën 2015-2024 investimet gjithsej të UKT sh.a. janë 7.038 milionë lekë dhe ato për sistemin e kanalizimeve vetëm 13.2% e tyre, ose 927 milionë lekë” thuhet në auditim.


