nga Prof. Ermal Hasimja
Berisha kërkoi sot sërish qeveri teknike që do të organizojë zgjedhje të parakohshme. Ka shumë të drejtë, është e vetmja mundësi për zgjedhje të lira e të ndershme. Nëse nesër bëhen zgjedhje në të njëjta kushte si me 11 maj, Rilindja fiton prapë. Duhet një qeveri teknike që siguron neutralitetin e shtetit në fushatë, siguron ndalimin e ndërhyrjes së krimit të organizuar dhe mbështet veprimin e fortë parandalues nga organet e drejtësisë.
Por PD-ja ka nevojë edhe për reformim të brendshëm dhe jo thjesht një shans tjetër.
Berisha i shtriu dorën e bashkëpunimit partive të vogla. Që kjo të mos mbetet një deklaratë do të ishte mirë që PD-ja të tërhiqet dhe të denoncojë idenë e ndryshimeve në kodin zgjedhor që do të godisnin pikërisht këto parti të vogla.
Kur themi se PD-së i mungon besueshmëria e duhur nuk flasim për koncepte bosh. Besueshmëria vjen nga veprimet parimore, përfshirë e sidomos kur bien ndesh me interesat e çastit. Për të fituar besueshmëri PD-ja duhet të tregojë vullnet të mirë demokratik duke mos bashkëpunuar me PS-në kundër partive të vogla opozitare dhe duhet të reformohet me synim ofrimin e integritetit moral.


