Forcat amerikane sekuestrojnë një cisternë ruse në Atlantik

spot_img
Advertisements

Forcat detare të Shteteve të Bashkuara e kanë kapur një cisternë ruse të të ashtuquajturës “flota në hije”, e cila po arratisej në Atlantikun e Veriut të mërkurën.

Ky është veprimi më i fundit në një seri veprimesh të Uashingtonit kundër anijeve të lidhura me tregtinë e paligjshme të naftës venezuelase.

Komanda Evropiane e SHBA-së njoftoi në një deklaratë në rrjetet sociale të mërkurën se cisterna, Marinera, e quajtur më parë Bella 1, u sekuestrua në veri të Oqeanit Atlantik, midis Islandës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

“Anija u sekuestrua në Atlantikun e Veriut në bazë të një urdhri të lëshuar nga një gjykatë federale amerikane, pasi ishte gjurmuar nga USCGC Munro [anija patrulluese e Rojës Bregdetare të SHBA-së]”, thuhet në deklaratë.

Më herët, mediat ruse kishin shfaqur pamje të një helikopteri amerikan që qëndronte pezull pranë cisternës, mes raportimeve nga disa media që citonin burime sipas të cilave po zhvillohej një operacion që përfshinte anijen.

Kjo anije u kap vetëm disa ditë pasi forcat amerikane e sulmuan Venezuelën dhe kapën udhëheqësin e saj, Nicolas Maduro, në një operacion dramatik që shkaktoi tronditje në mbarë botën.

Forcat amerikane kanë sekuestruar tashmë dy anije të tjera si pjesë e një fushate kundër Venezuelës në javët e fundit: Skipper më 10 dhjetor dhe Centuries më 20 dhjetor.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi në atë kohë se po urdhëronte një “bllokadë” ndaj cisternave të naftës të sanksionuara që hynin dhe dilnin nga Venezuela.

Bella-1 ishte nisur nga Irani drejt Venezuelës, thuhet për të ngarkuar naftë nga ky vend i sanksionuar nga SHBA-ja.

Në dhjetor, Roja Bregdetare e SHBA-së tentoi të hipte në bord të anijes ndërsa ajo po i afrohej ujërave venezuelase.

Por, kjo anije iu shmang atyre dhe iku me shpejtësi drejt Atlantikut, duke u riemërtuar Marinera. Ajo u regjistrua në një regjistër zyrtar rus të transportit detar, ndërsa anëtarët e ekuipazhit pikturuan një flamur rus mbi trupin e saj.

“Cisterna Bella I është përpjekur të shmangë Rojën Bregdetare për javë të tëra, madje duke ndryshuar flamurin dhe duke pikturuar një emër të ri në anë të anijes gjatë ndjekjes, në një përpjekje të dëshpëruar dhe të dështuar për t’i shpëtuar drejtësisë”, deklaroi sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kirsti Noem, në një postim në platformën X.

Moska kishte paraqitur protestë formale diplomatike duke kërkuar që Uashingtoni të ndalonte ndjekjen e anijes, pavarësisht se ajo ka qenë nën sanksione amerikane që nga korriku 2024.

Ministria e Jashtme e Rusisë ka deklaruar se anija po operonte “në përputhje të plotë me normat e së drejtës ndërkombëtare detare”.

Latest articles

Related articles