Një rrjet kompanish, të lidhura me Bankers, koncesionarin që shfrytëzon vendburimin e naftës Patos – Marinzë, kanë xhiruar në vitet e fundit dhjetëra miliona euro. Janë para’ të dala nga nëntoka, pasuria e të gjithë shqiptarëve, por e dhënë në mënyrë abuzive te privatët, e shfrytëzuar po në mënyrë abuzive për vite me radhë, duke ndërruar disa duar.
Aktualisht, drejtësia ka filluar të veprojë, fillimisht Prokuroria e Fierit e cila gjeti abuzime të shumta, ndërsa aktualisht dosja e zezë e Bankers është transferuar në Prokurorinë e Posaçme. Hetimet e deritanishme kanë gjetur shkelje të shumta, ku krahas administratorëve të koncesionarit, hetimet janë shtrirë edhe ndaj institucioneve shtetërore, të cilat “mbyllën sytë” për këtë vjedhje.
Ndërkohë, në momentin që shteti u kujtua të veprojë dhe të mbrojë pasurinë e vetë, kanë dalë në shesh “shushunjat” që qendrojnë pas koncesionarit, ose më saktë firmat që dyshohet se janë ngritur nga vetë pronarët e koncesionit. Janë një mori kompanish, që të ardhurat e vetme i kanë nga Bankers, të cilat janë paguar rregullisht dhe në vlera që kapin shifrën e dhjetëra miliona eurove.
Në fakt, këto para’ janë të nëntokës, por duke u xhiruar te këto kompani, arrijnë që të pastrohen dhe vetë firma mëmë të nxjerrë fitime minimale, duke shmangur taksat e gjithçka tjetër.
Një nga këto kompani “shushunje” është “Petro Solution”, e cila ka hedhur në rrugë dhjetëra punonjës, duke mos iu dhënë pagën e muajit nëntor, apo duke mos u paguar as statusin e naftëtarit. Punëtorët e kompanisë kanë denoncuar në mediat tentativat e kësaj kompanie për të fshehur të ardhurat.
“Këta kanë xhiruar miliona euro, dhe tani që iu pre rubineti nga Bankers, nuk na japin rrogat. Pagat e tyre i kanë me shumë zero, por ne na japin kacidhe dhe s’na paguajnë as statusin dhe vështirësinë e të punuarit në naftë”, tha një punëtor, i cili thotë se, megjithëse jemi në mes të muajit dhjetor 2025, punëtorët s’kanë marrë pagat e muajit nëntor.
Por, kush është kompania “Petro Solution”?! Redaksia shfletoi dokumente ku rezulton se firma ka si aktivitet “analiza gjeologjike, vlerësimi i rezervuarëve, teknologji e pasurimit të prodhimit, prerje dhe shpim në sektorin e naftës”. Gjithashtu, merret edhe me transport, shërbimet e marrjes me qira të pajisjeve E makinerive të transportit dhe inxhinierisë, tregtim, konsulencë teknike, shërbime teknike dhe trajnime.
Disa muaj pasi firma ndërroi pronar, paratë kanë vërshuar lumë te firma “Petro Solution”. Kompania në vitin 2023 dhe 2024 ka xhiruar dhjetëra miliona euro, duke bërë blerje në Kinë apo duke marrë makineri me qira. Ajo rriti në mënyrë të menjëhershme kapitalin, teksa ka dyshime se u rritën edhe shpërblimet e pronarëve dhe drejtuesve.
Në letra, të dorëzuara në QKB, firma shkruan se në vitin 2024, ka pasur një fitim rreth 280 mijë euro. Ndërkohë, në dokumentë të tjera shkruan se ka xhiruar deri në 7 ose 8 milionë euro. Të gjitha të ardhurat i ka nga “Bankers”.
Por, megjithëse fiton qindra mijëra euro dhe xhiron miliona të tjera, kompania ka filluar të mos paguajë punëtorët. Mbyllja e rubinetit dhe kontrollet e institucioneve shtetërore ndaj koncesionarit, kanë filluar që të dalin në shesh të gjitha pislliqet e Bankers. Natyrisht që SPAK duhet të shtrijë hetimet edhe ndaj këtyre “shushunjave”, pasi rreth e qark Bankers ka shumë, që janë paguar nga pasuria e të gjithëve, por u pasuruan vetëm një grusht njerëzisht/Voxnews




