Në një moment kritik për drejtësinë, në një vend ku betejat kundër korrupsionit kanë prekur majat e politikës, ekonomisë dhe institucioneve shtetërore, për Prokurorinë e Posaçme është hapur një kapitull i ri.
Pas një prezantimi të gjatë publik, Këshilli i Lartë i Prokurorisë zgjedh me shumicë votash Klodjan Brahon, si drejtues të ri të SPAK.
Prokurorin që për vite me radhë ka hetuar korrupsionin e zyrtarëve të lartë.
Një emër jo shumë i ekspozuar publikisht, por një dorë që ka firmosur dosje të mëdha, dosje të rënda por ndonjëherë edhe të debatueshme.
Por mandati i Klodjan Brahos vjen edhe me sfida të tjera. Jo vetëm për ruajtjen e standardeve dhe trashëgimisë së drejtuesit aktual, Altin Dumani, në hetime dhe qëndrime të forta, por edhe sepse korrespondon me 3-vjecarin që çon në ripërtëritjen e SPAK.
Në fund të këtij 3-vjecari, me ligjin aktual, nga Struktura e Posaçme, do të duhet të largohet jo vetëm Klodjan Braho, por edhe 10 prokurorë të tjerë të posaçëm që janë emëruar në dhjetor të vitit 2019. E si drejtues, ai do të duhet të sigurojë kolegët për të ardhmen e tyre. Ligji thotë se pas përfundimit të mandatit në strukturën e posaçme, prokurorët rikthehen në detyrat që kanë mbajtur, por pjesa më e madhe e tyre vijnë nga një prokurori që tashmë është shkrirë, Prokuroria për Krime të Rënda.
Këtë paqartësi të ligjit, kreu në ikje i SPAK, Altin Dumani, e ka ngritur si shqetësim, në mënyrë që ligji të plotësohet, pasi në të kundërt, këta prokurorë, nuk do të kenë një vend në sistem.
Duke parë nga e ardhmja, Dumani po ashtu, në disa dalje publike, kërkoi mundësinë e rikandidimit të prokurorëve të SPAK, edhe pas mandatit 9-vjeçar. Por teksa Dumani kishte kohë, pasardhësit të tij Braho, do t’i duhet që t’i çojë para këto kërkesa brenda 3 viteve, ku së paku të sigurojë që prokurorët e posaçëm pas mandatit, ta kenë të qartë fatin e tyre.
E me gjithë sfidat me të cilat do të përballet gjatë mandatit të tij 3-vjeçar si drejtues i SPAK, mesa duket Braho ka dhe një tjetër lupë që do e vëzhgojë gjatë kësaj detyre. Ndërkombëtarët. Ashtu si dikur Yuri Kim vëzhgoi nga afër zgjedhjen e Altin Dumanit, edhe procesi i pasardhësit të tij nuk i shpëtoi vëmendjes së përfaqësive diplomatike. Ata ishin aty për të parë e mesa duket edhe për të fituar. Pasi sinjalet se Klodjan Braho ishte i preferuari i tyre, i kishin dhënë që nga shtatori. Madje duket se për ta kujtuar një detaj të tillë, diplomatët amerikanë e bënë thuajse të qartë, kur një ditë para zgjedhjes në KLP, kishin ribotuar fotografinë e një zyrtari të lartë të Departamentit të Shtetit, në zyrën e Brahos në SPAK.
Surprizat duket se u hoqën që në nisje të procesit mëngjesin e 12 dhjetorit 2025, kur Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi që votimi për kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme të ishte publik dhe jo i fshehtë.
Pra me 7 vota, nga 11 anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Klodjan Braho zgjidhet drejtues i SPAK. Detyrë që do ta marrë zyrtarisht më 19 dhjetor 2025, pasi të mbarojë përfundimisht mandati i Altin Dumanit.
Por kush është në të vërtetë Klodjan Braho?
Cili është profili i paautorizuar i njeriut që nga 19 dhjetori do të udhëheqë institucionin më të fuqishëm të drejtësisë shqiptare?
Ky dokumentar ndjek gjurmët e karrierës së tij. Dosjet e tij më të forta, betejat, dështimet, presionet dhe prioritetet që ai ka vendosur si busull për vitet e ardhshme.
Nga hetimet që kanë rrëzuar ministra, te çështjet që gjykata ia ktheu për plotësim.
Nga lufta me korrupsionin e lartë, te sfidat e një institucioni që kërkon t’i tregojë vendit se askush nuk është mbi ligjin.
KUSH ËSHTË KLODJAN BRAHO
Klodjan Braho, 44 vjeç, nga Skrapari, i cili ka qenë një prej figurave kryesore të SPAK-ut, është pjesë e sistemit të drejtësisë që prej vitit 2007. Pas përfundimit të studimeve në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe Shkollën e Magjistraturës, ai u emërua prokuror në vitin 2007. Karrierën e nisi në Prokurorinë e Beratit, ku qëndroi në detyrë deri në vitin 2012. Më pas u transferua në Prokurorinë e Vlorës, ku ushtroi detyrën deri në vitin 2015, përfshirë edhe një periudhë si zëvendësdrejtues i organit të akuzës atje.
Nga Vlora, ai u transferua më tej në Prokurorinë për Krime të Rënda, në Tiranë, ku u përfshi në hetimin e disa çështjeve të rëndësishme.
Në korrik të vitit 2019, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e konfirmoi në detyrë me vendimin nr. 191, duke i hapur rrugë emërimit në SPAK. Në vitin 2022, ai u përfshi në procesin e kandidimit për postin e kreut të SPAK, por më pas u tërhoq nga gara.
Ndërkohë ai është drejtues i Seksionit të Korrupsionit dhe është autor i hetimeve ndaj disa prej dosjeve më të rëndësishme të viteve të fundit.
KARRIERA
14.11.2007 – 2012 Prokuror pranë Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat.
2012 – 2015 Prokuror pranë Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
2014 – 2015 Zv.drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
2015 – 19.12.2019 Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë.
19.12.2019 emërohet Prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Nga data 19 dhjetor 2025, ai do marrë drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, por bashkë më të, siç shprehet vetë ai, mund të huazojë edhe disa nga tiparet më të mira nga paraardhësit e tij. Qetësinë e Arben Krajës dhe vendosmërinë e Altin Dumanit.
Teksa lexoi për afro 1 orë platformën e tij për drejtimin e SPAK, që bindi edhe 7 anëtarë të KLP-së që i dhanë votën, Klodjan Braho renditi edhe sfidat që e presin por tregoi edhe vizionin e tij për punën e institucionit më të rëndësishëm të akuzës në vend. Megjithatë nuk la pa përmendur disa herë edhe drejtuesin e ri të BKH, të zgjedhur vetëm disa ditë para tij dhe projektet që ka për të bashkëpunuar për hetimet.
Përveç vijimit të punës, duke ruajtur standardin e krijuar tashmë por edhe besimin e publikut te Prokuroria e Posaçme, duhen korrigjuar edhe defektet. E një defekt i tillë, jo pak i komentuar, madje edhe me një vendim të Gjykatës Kushtetuese, është marrja dhe sigurimi i provës. Konkretisht sekuestrimi i celularëve. Klodjan Braho e tha qartë gjatë prezantimit të platformës së tij që ligji e thotë qartë mënyrën e procedimit në raste të tilla. Por është i njëjti ligj, që mesa duket nuk u respektua brenda normave në rastet e mëparshme, aq sa u desh vendimi i Kushtetueses për të vendosur ato kufizime, që në fakt i përcakton vetë ligji.
Një tjetër problematikë, me të cilën SPAK është përballur gjatë 6-vjeçarit të funksionimit të tij është edhe publikimi i dosjeve hetimore në media. Madje në shumë raste ka pasur vendim për mospublikimin e tyre nga Gjykata e Posaçme. Megjithatë sërish kjo nuk e ka penguar daljen e akteve. Por Klodjan Braho thotë se disa hetime të nisura në këtë drejtim kanë dhënë efekt. Ndonëse sipas tij, në 99 % të rasteve dosjet publikohen nga palët dhe jo nga Prokuroria e Posaçme.
E si çdo njeri tjetër, edhe Klodjan Braho e ka një pikë të fortë dhe një pikë të dobët. E forta është eksperienca e tij e gjatë në hetimin e korrupsionit dhe e dobëta vëmendja publike, që pas 19 dhjetorit do jetë e shtuar. Megjithatë ai thotë se edhe kësaj do i kushtojë vëmendje, pasi në çdo rast, çdokush ka nevojë përmirësim.
Për Klodjan Brahon, në 6 vite, SPAK ka kaluar edhe eksperienca të vështira, por ai ka dhe një filozofi të vetën dhe njëkohësisht edhe një zgjidhje. Çdo vështirësi sipas tij shndërrohet në aftësi dhe mesa duket kjo mund të kalohet edhe duke e ndarë përgjegjësinë dhe punën për dosjet hetimore me prokurorët e tjerë të SPAK. Sepse sipas tij, qëllimi nuk është që dikush të shkojë në burg, por të vendoset drejtësi.
Goditja e krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk do të mjaftonte nëse nuk goditen edhe financat e tyre. “Ndjekja e parasë” është kryefjala e hetimeve në botë e kjo duket do vazhdojë të jetë edhe filozofia e SPAK nën drejtimin e Klodjan Brahos 3 vitet e ardhshme. Gjatë prezantimit të platformës së tij, Braho përmendi se është punuar shumë në këtë drejtim dhe është arritur të konfiskohen mbi 18 milionë euro pasuri, që janë sa dyfishi u buxhetit të SPAK. Por thotë që çdo çështje penale do të shoqërohet me hetim pasuror.
Për Klodjan Brahon, ka rëndësi institucioni dhe jo individi. Duhet të jetë SPAK që të përcaktojë standardin dhe jo emrat e përveçëm, as drejtuesi dhe as ndonjë prokuror. Dhe kjo sipas tij është sfida më e madhe e SPAK.
DREJTËSIA QË JEP PADREJTËSI
Prokuroria e Posaçme ka qenë në qendër të retor ikës politike në mesin e muajit shkurt. Që prej arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, debatet publike kanë pasur si kryefjalë SPAK-un.
E teksa diskutohej për drejtësi apo padrejtësi nga ana e Strukturës së Posaçme, që për 5 vite u duk se ishte fytyra më e pastër e drejtësisë së re, erdhën edhe deklarata zyrtare nga të dy krahët.
Më 18 shkurt, kryeministri Edi Rama pranoi se ka disa gjëra që nuk shkojnë edhe me Prokurorinë e Posaçme, pasi është ende një institucion i ri me shumë probleme. Sipas tij ka krijuar vetëbesimin e pavarësisë. Por, Rama thonë se nuk mundet që në emër të pavarësisë, të intimidohen njerëz që merren në pyetje. Apo edhe që paraburgimi të kthehet në një normë për të kapur e futur brenda pa gjyq këdo.
Nga ana tjetër, një ditë para tij, lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se kur të vijë në pushtet do ta shkrijë SPAK-un. Edhe pse pas arrestimit të Veliajt, ai “amnistoi” të gjithë prokurorët e SPAK, përveç Altin Dumanit. Por deklarata e Berishës erdhi në ditën që po dilte nga dyert e Prokurorisë së Posaçme, në zbatim të masës “detyrim paraqitje”. Aty nuk i kurseu sërish sulmet ndaj Altin Dumanit, teksa deklaronte se nëse do i fitonte zgjedhjet e 11 majit, Prokuroria e Posaçme do shkrihej, ndërsa prokurorët e lidhur me bandat do futeshin në burg. E në një kohë që dukej sikur fati i SPAK, sipas asaj retorike, do të përcaktohej pas zgjedhjeve të 11 majit, me premtimin e Berishës për shkrirje dhe deklaratën e Ramës për mbështetjen e drejtësisë së reformuar, duket se SPAK-un tashmë e pret edhe një sfidë tjetër.
Sfida me veten. Me prokurorët dhe gjyqtarët e drejtësisë së re.
Altin Dumani: Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit dhe askush nuk mund të jetë i privilegjuar prej tij!
Në 5 vjet SPAK e ka demonstruar këtë më shumë se çdo institucion tjetër drejtësie ndonjëherë më parë. Dhjetorin e vitit 2024, ky u arsyetua si një mesazh për politikën. Por para ligjit duhet të jenë të bartë edhe vetë ata që japin drejtësi. Pra, vetë prokurorët dhe gjyqtarët e drejtësisë së re. Dhe dëshmia më e fortë për këtë do të jetë dosja që SPAK e ka në dorë që prej korrikut të vitit 2024 dhe që më 20 shkurt 2025 kaloi për gjykim në Gjykatën e Posaçme. Dosje, që me një vendim të gjyqtarit Erion Bani për mospublikim të saj deri në përfundim të hetimeve, asnjë pjesë e saj nuk doli në media. Ndoshta jo pa qëllim, pasi në fashikujt e saj flitej për afera korrupsioni e ushtrim ndikimi të paligjshëm tek gjyqtarë e prokurorë të drejtësisë së vjetër dhe asaj të re.
Po flasim për dosjen hetimore në ngarkim të ish-kryeprokurorit të Vlorës Aurel Zarka, i arrestuar që prej korrikut të vitit 2024. Pjesë e saj janë edhe një ish-oficere e Policisë Gjyqësore e SPAK, një avokat dhe një biznesmen. Të tre këta janë në kërkim, pasi nuk është arritur arrestimi i tyre. Por çfarë e bën më të rëndësishme këtë dosje, janë komunikimet që 4 personazhet e saj, bëjnë të shpenguar në platformën SKY, duke përmendur aferat me gjyqtarë, prokurorë e punonjës gjykatash.
Teksa prej 5 vitesh dosjet e shumta të Prokurorisë së Posaçme kishin tronditur botën e krimit por jo vetëm, në vitin 2024 një dosje e njohur për publikun si “Dosja Zarka”, duket se tronditi edhe vetë drejtësinë e re.
Deri në atë moment pazaret e krimit më drejtësinë ishin cekur në 2-3 dosje, por skema dhe rrjeti i zbuluar nga komunikimet në Sky mes vetë njerëzve të drejtësisë, treguan se ashtu si krimi i organizuar edhe mes drejtësisë kishte organizim për të dhënë padrejtësi.
Magjistratja Eriona Daupaj, një ish-oficere e Policisë Gjyqësore në SPAK është në qendrën e këtyre komunikimeve bashke me avokatin Radovan Çela dhe me ish-kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka, ky i fundit i arrestuar. Mënyra se si ajo shprehet në komunikimet që “Gjërat Tona” ka lexuar, tregon se mes njerëzve të drejtësisë ka grupime që punojnë së bashku si një rrjet që kryejnë ato që ata konsiderojnë “punë”, për të lehtësuar pozitat e njërit të hetuar apo tjetrit.
Këto linja të zbardhura nga “Dosja Zarka” tregojnë se si kjo “punë” për të prishur një hetim niste që në fazat e para të marrjes në dorë të një referimi derisa kjo dosje shkonte në duart e Gjykatës.
Një nga çështjet më të famshme ku këta njerëz të drejtësisë së re dhe të vjetër kanë vepruar për të dhënë padrejtësi, është dosja e njohur gjerësisht për publikun si “Toyota Auris”, ku u hetua futja në mënyrë të paligjshme e 3.4 milionë eurove përmes Portit të Durrësit. Çështja u hetua fillimisht te Krimet e Rënda, pastaj u shpall moskompetencë dhe u dërgua në Gjykatën e Tiranës.
Historia e kësaj dosje nis më 24 qershor 2018, kur në Portin e Durrësit u sekuestruar rreth 3.4 milionë euro. Në deklaratën zyrtare lidhur me sasinë rekord të eurove që u sekuestruan Policia e Shtetit deklaronte në atë kohë se ishte vënë në dijeni nga burimet vendase, një ditë para se të bëhej një deklaratë në Kuvendin e Shqipërisë. Policia e Shtetit deklaronte se ishte vënë në dijeni më datë 20 qershor 2018 për një karroatrec me targa AA 120 SP, që pritej të transportonte disa autovetura, e mes tyre një mjet me sasi eurosh të padeklaruara, pa specifikuar tipin e automjeteve dhe as origjinën e vendit. Me marrjen e këtij informacioni, Policia shprehej se u ishte dhënë porosi gjithë strukturave të Pikat e Kalimit Kufitar për konstatimin dhe kontrollin e kësaj ngarkese.
Çështja e 3.4 milionë eurove fillimisht u hetua nga Prokuroria e Durrësit, e cila më pas shpalli moskompetencë dhe hetimin e mori në dorë Prokuroria e Krimeve të Rënda. Por kjo dosje nuk qëndroi shumë as këtu. Pas shkrirjes së Gjykatës së Krimeve të Rënda, kjo çështje ishte e para që i kaloi për kompetencë rretheve. Fatin e saj e mori në dorë Gjykata e Tiranës, që pas një ping pongu në institucionet e drejtësisë, në nëntor të vitit 2020 shpalli edhe vendimin. Pas më shumë se dy viteve nga sekuestrimi i 3.4 milionë eurove, dosja “Toyota Auris”, përfundoi vetëm me një të pandehur. Gjykata e Tiranës pushoi akuzat për 4 nga 6 të dyshuarit. U dërgua për gjykim vetëm Elvis Vladi, i dyshuar si personi që siguroi automjetet “Toyota” në Belgjikë, me akuzën e mosdeklarimit të të hollave në kufi. Ndërsa Agim Çeka, shoferi që solli makinat në Shqipëri, u gjykua vetëm për armëmbajtje pa leje, pasi gjatë kontrollit në shtëpi iu gjet një pistoletë. Gjykata argumentonte se provat e dorëzuara nga Prokuroria nuk provonin përfshirjen e 4 personave të tjerë të dyshuar, duke i zhveshur nga të gjitha akuzat.
Por kjo dosje tashmë është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes, kur në vitin 2024 u arrestua ish-kryeprokurori i Vlorës Aurel Zarka.
Në vazhdën e hetimeve për korrupsionin, atë brenda vetë sistemit, Klodjan Braho, ka hetuar edhe dosjen e famshme ndaj Aurel Zarkës. Me të, gjatë ushtrimit të detyrës në të shkuarën, Braho kishte ndarë edhe bankën e akuzës.
Por përtej guximit për të hetuar qoftë edhe një koleg të afërt kur kapet në paligjshmëri, dosja e cila zbuloi kulisat e nëndheshme të drejtësisë për të favorizuar krimin, sot, pas më shumë se 1 viti nga arrestimet, nuk duket të jetë edhe aq e suksesshme në përballje me gjykatën.
Kryeprokurori i ri i SPAK e hetoi atë dosje të fragmatarizuar dhe çoi në gjyq më vetë, Aurel Zarkën, ish-hetuesen e BKH-s, Eriona Daupaj dhe avokatin Radovan Çela, duke i akuzuar se ishin përfshirë në korrupsion e ushtrim ndikimi të paligjshëm për të ndërhyrë në zgjidhjen e çështjes në favor të të hetuarve për futjen në Shqipëri të 3.4 milionë eurove nga Porti i Durrësit, lirimin e pasurive të Suel Çelës apo edhe në dosje të tjera.
Shkalla e Parë dënoi fillimisht Zarkën me 2 vite e 8 muaj burg, por dosja ngeci në Apel, i cili e zhbëri atë dënim duke konsideruar se SPAK dhe GJKKO, kishin vlerësuar gabim akuzat, pasi ish drejtuesi i Prokurorisë së Vlorës dhe të hetuarit e tjerë do te duhet të akuzoheshin nga SPAK për grup kriminal që bashkëvepronin për të ndërhyrë në drejtësi në favor të të pandehurve në këmbim të parave.
Dosja aktualisht ndodhet e rekursuar në Gjykatën e Lartë, aty ku SPAK dhe i pandehuri Zarka, kërkojnë të njëjtën gjë, prishjen e vendimit të Apelit.
Nga ana tjetër, më 10 dhjetor 2025, edhe Gjykata e Brukselit ka shpallur moskompetencë për hetimin e dosjes “Toyota Auris”. Gjykata e shpalli veten të paaftë territorialisht për të gjykuar këtë çështje. Dhoma e 46-të e gjykatës penale beson se provat nuk përcaktojnë se kur ose në cilin vend u vendosën këto para të paligjshme në ndarjet e fshehura të automjeteve. Në fakt, kamioni udhëtoi nëpër disa vende përpara se të sekuestrohej nga autoritetet shqiptare. Zyra e prokurorit federal ende ka mundësinë të apelojë këtë vendim.
Kjo dosje, që përfshin vetë njerëzit e drejtësisë në dhënien e padrejtësisë, duket se është edhe një nga ato të debatueshmet që ka hetuar Klodjan Braho. Ai e tha dhe vetë që detyra te ish- Krimet e Rënda dhe te SPAK e ka bërë që të hetojë edhe kolegë të tij edhe gjyqtarë dhe të përfaqësojë akuzën. Me gjithë polemikat për hetimin e dosjes më të përfolur, duket se vetë Braho ka bindjen se edhe njerëzit e sistemit të drejtësisë i ka hetuar me objektivitet.
DOSJET MË TË NXEHTA
Hetimi i korrupsionit, kryesisht i zyrtarëve të lartë, ka shënjuar karrierën e drejtuesit të ri të SPAK, Klodjan Braho. E duket se kjo është pika e tij më e fortë.
Mes çështjeve më të nxehta që Klodjan Braho ka kryer hetime dhe ka përfaqësuar akuzën në Gjykatë, është edhe ajo e ish-prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla. Në përfundim të seancave gjyqësore, Llalla u shpall fajtor dhe u dënua me një vendim të formës së prerë me dy vite burgim dhe konfiskimin e pasurisë. Megjithatë Llalla ishte larguar drejt Italisë, ku Klodjan Braho nisi dhe një letër-porosi me qëllim ekstradimin e tij.
Nga ana tjetër, një tjetër dosje që ai ka hetuar bashkë me Aurel Zarkën, ishte ajo e kryebashkiakut të Vlorës, Shpëtim Gjika, për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, dosje e cila rrëzoi nga “froni” i Gjikës. Ndërkohë në një çështje tjetër të rëndësishme, Braho arriti të rrëzojë mitin e drejtorëve të Bashkisë së Tiranës, duke thyer edhe imazhin e një institucioni të suksesshëm. Hetimi i Klodjan Brahos depërtoi me sukses në aferën korruptive të njohur ndryshe si skema “5D” që tregonte veprimet abuzive me fondet publike që kryenin drejtorët e Bashkisë Tiranë. Njëherësh Braho, urdhëroi arrestimin e disa zyrtarëve dhe personave të tjerë biznesmenë që kryen procedurat e ndërtimin të inceneratorit të Elbasanit. Pas këtyre veprimeve ai u përball me një fushatë të egër mediatike, e cila u venit me kalimin e kohës.
Por nga ana tjetër, Klodjan Braho është edhe prokuror i dosjes së Gërdecit, që po hetohet prej vitit 2021 megjithatë ende nuk është marrë asnjë vendim. Braho është pjesë e grupit të prokurorëve që firmosën dosjen për ish-ministrin e mbrojtjes Fatmir Mediu, tashmë në proces gjyqësor, nën akuzën për “shpërdorim detyre” në lidhje me rolin e tij si ministër në tragjedinë e Gërdecit.
Vetë detyra e tij, e ka detyruar Klodjan Brahon të përballet edhe me sfida gjatë hetimeve që ka kryer për korrupsionin. Por teksa pyetet në Këshillin e Lartë të Prokurorisë për një zgjedhje, mes stabilitetit të vendit apo pavarësisë si prokuror për të vënë drejtësi, ai e ka një përgjigje edhe për këtë.
Vetë objektivi i Prokurorisë së Posaçme është të hetojë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Që nga themelimi i kësaj strukture, dosje të tilla ka pasur me shumicë. Janë goditur grupe e organizata mjaft të fuqishme te krimit të organizuar, por edhe zyrtarë të nivelit më të lartë të pushtetit qendror dhe atij vendor. Duke i njohur meritat edhe bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar, Klodjan Braho thotë se problematike ngelet korrupsioni që duket se do të jetë edhe prioritet e politikës penale të SPAK në vazhdim.
Megjithatë Braho pranon se korrupsioni nuk mund të luftohet vetëm nga SPAK edhe pse sipas tij faktet tregojnë se është goditur. Por jo çdo formë korrupsioni që ndodh në vend mund të zbulohet dhe është pothuajse e pamundur që kjo të ndodhë. Për të arritur në nivelin që të mos ketë korrupsion, duhet diçka më shumë sesa vetë SPAK-u.
Ashtu si paraardhësi i tij Altin Dumani, edhe Klodjan Braho duket se ka të njëjtin qëndrim për Policinë e Shtetit. Nisur nga shqetësimi i ngritur për një numër të ulët referimesh nga organet ligjzbatuese në SPAK, Braho e pranon si të vërtetë. Por nga ana tjetër nuk heziton që të flasë edhe hapur. Në vazhdon mund të arrihet që Policia e Shtetit do të jetë e pavenojshme, pasi SPAK dhe BKH do të kenë strukturën e mjaftueshme për të qenë proaktivë dhe për të nisur vetë hetime.
Me gjithë punën e bërë në 6 vite, me gjithë arritjet e ndonjëherë edhe dështimet, Klodjan Brahon pas datës 19 dhjetor 2025 e presin sfida edhe më të mëdha. Cilësia e jetës së tij ka qenë disi më ndryshe nga ajo e qytetarëve të zakonshëm.
Këto kanë ndodhur kur ishte prokuror, por situatat mund të ndryshojnë tani që është drejtues i strukturës më të rëndësishme hetimore në vend. Mund të mos jetë vetëm çështje ekspozimi, por në ndonjë rast edhe rreziku.
Një sinjal kujdesi, apo ndoshta edhe ndonjë mesazh tjetër, Braho e dha vetë ditën kur edhe u zgjodh nga KLP si drejtues i SPAK. Teksa ulej për të prezantuar platformën e tij, ai nxori nga çanta një gotë plastike dhe e vendosi krah shishes me ujë mbi tavolinë. Nëse ishte sinjal për sigurinë, mesazh për vazhdimësinë e punës së SPAK, apo thjeshtë një zgjedhje e tij për të konsumuar ujin në gotë dhe jo në shishe si kolegët e tij që kishin folur para tij, këtë nuk mund ta themi. Megjithatë ky veprim i Klodjan Brahos mori të gjithë vëmendjen e medias.
Detyra e tij e re në drejtim të SPAK, do e përballë me shumë sfida dhe vështirësi, siç u shpreh vetë ai.
Megjithatë çdo situatë e vështirë, ka një zgjidhje të lehtë dhe ajo është përmes zbatimit të ligjit. Me këtë filozofi, Klodjan Braho mori votëbesimin e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.


