Një teori e re politike e “shpikur” nga PD që dëmton rëndë atë vetë

spot_img
Advertisements

Nga Fitim ZEKTHI

Shqipëria dallohet si një vend në të cilin partitë dhe politikanët “prodhojnë” vazhdimisht teori të reja politike për shkak të nevojës së tyre të vazhdueshme për të justifikuar depolitizimin (daljen totale nga dialektika politike e luftës së pushtetit dhe e mbajtjes së përgjegjësive apo dhënies së llogarive) të tyre të plotë. Një ndër këto “teori” është ajo e opozitës së opozitës si një mjet që i shërben pushtetit të qeverisë Rama. Këdo të thotë pak a shumë se të kritikosh Partinë Demokratike apo opozitën do të thotë se po i bën opozitë opozitës dhe po i shërben qeverisë së Partisë Socialiste dhe kryeministrit Rama.

Nga një pikëpamje praktike politike kjo duket si diçka normale, sepse partia demokratike kërkon që gjithçka, thelbi i debatit, duhet të mbahet tek lufta ndaj qeverisjes, ndaj kryeministrit dhe ndaj partisë socialiste. Çështja është ky është një thjeshtim shumë i madh, nuk prodhon asgjë, nuk mund të prodhojë asgjë. Përkundrazi, sjell probleme për vetë PD-në dhe opozitën. Një opozitë, cila do opozitë, PD-ja nuk mundet kurrë të pretendojë të mbajë në këmbë luftën ndaj qeverisë dhe qeverisjes duke shpikur një teori politike qesharake që kush kritikon opozitën po i bën opozitë opozitës dhe është me qeverinë. Opozita e mban fokusin e debatit tek qeveria, tek kritika ndaj qeverisë kur ajo u ka shpjeguar njerëzve dhe ata në shumicë e bëjnë se çfarë idesh politike ka, pse i ka këto ide politike dhe pse nuk ka të tjera, pse këto ide janë më të mirat për vendin dhe cilët janë njerëzit që drejtojnë opozitën, njerëz të cilët këto ide i kanë brenda vetes (dhuratë prej Zotit siç thoshte Edmund Burke). Vetëm në këtë rast opozita arrin të mbajë debatin vetëm tek qeveria dhe tek abuzimet e pazakonta dhe të tmerrshme që qeveria bën.

Nga një pikëpamje më e gjerë, të quash kritikën ndaj opozitës si opozitë ndaj opozitës dhe si shërbim ndaj qeverisë është gabim i rëndë dhe i trashë logjik. Nuk ka asgjë që nuk është e pakritikueshme. Çdo gjë mund të jetë e gabuar, çdo organizatë apo çdo individ. Vetëm profetët ka ruajtur Zoti nga gabimet dhe PD si një parti që pretendon të jetë e djathtë duhet ta ketë brendesuar këtë. Partia Demokratike është e kritikueshme si çdo parti tjetër. Edhe në kohë shumë të këqija, kur sipas saj të gjithë duhet të drejtohen kundër qeverisë të kritikuarit e opozitës është diçka e logjikshme.

Në qoftë se ti nuk pranon kritikën me arsyetimin “se kemi hallin e qeverisë”, atëherë i bie që vazhdimisht mund të kesh imunitete ndaj kritikës, sepse vazhdimisht një opozitë ka hallin e qeverisë. Pra rreziku i parë është se me këtë arsyetim logjikisht opozita mund të mos lejojë asnjëherë kritikën. Rreziku i dytë është se opozita në këtë mënyrë nuk lejon asnjëherë të flitet për gjërat e saj, për problemet e saj dhe në këtë mënyrë llogaridhënia bëhet e pamundur dhe askush nuk mban më përgjegjësi. Në këtë moment opozita me vetëdija dhe me dashje shkon drejt mbylljes, shkatërrimit dhe daljes së avashtë nga loja politike.

Një tjetër problem shumë i madh është ai i të quajturit të atij që bën kritikën si dikush që i shërben qeverisë apo kryeministrit. Në këtë moment gabimi logjik është shumë më i rëndë. Në këtë mbrojtje apo imunitet ndaj kritikës bëhet i plotë. Cila marrëdhënie shkakësore e lidh një kritikë ndaj opozitës me shërbimin ndaj qeverisë? Në qoftë se detyra e opozitës është të jetë e drejtë, të bëjë gjënë e duhur, të thotë të vërtetën për vetë dhe kundërshtarin, atëherë si mund të jetë shërbim ndaj qeverisë kritika ndaj opozitës?

Veç problemit me logjikën, e cila në një farë mënyre është diçka neutrale, është mjet apo aparat i ftohtë me të cilin njerëzit dhe shqipëtarët veprojnë, qëndrimi i PD-së ka edhe probleme të rënda morale. Moralisht, opozita jo vetëm kritikohet dhe duhet të kritikohet si çdo gjë tjetër në Shqipëri, por duhet të jetë e lirë dhe e hapur edhe në qoftë se i pranon ato me vështirësi, të mos shkojë tek akuza apo sulmi se kritika qenka diçka që i shërben qeverisë. Në këtë rast, kur çdo kritik sulmohet si shërbim ndaj qeverisë, opozita dhe PD por edhe kushdo që e bën një gjë të tillë, arrijnë një pikë shumë të ulët sepse i mveshin në mënyrë arbitrare, pa asnjë provë, dikujt diçka. Kjo bëhet me qëllim që ai të vihet përballë ndërgjegjes së tij dhe të heshtë, ose më e rënda (dhe kjo ndodh vazhdimisht) ai të vihet përballë militantëve dhe ata ti sulen dhe ta quajnë armik.

Kjo sjellje pastaj arrin tek sjelljet tipike komuniste apo ideologjive të tjera totalitare ku kushdo që nuk “është me mua është armik, i shërben armikut”. Partia Demokratike duhet të heqë dorë nga këto qëndrime totalisht të palogjikshme dhe të pamoralshme, por edhe shumë kundërproduktive. Nuk ka gjë të pakritikueshme, aq më tepër politikanët apo partitë.

Latest articles

Related articles