Një nga operacionet më të mëdha kundër krimeve mjedisore në vitet e fundit është finalizuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Metalurgjiku”, pas një hetimi disamujor të ndjekur me metoda speciale dhe nën drejtimin e Prokurorisë, janë arrestuar 16 shtetas, mes tyre 9 të huaj, si dhe janë proceduar penalisht dy subjekte juridike që ushtronin aktivitet të paligjshëm në përpunimin e mbetjeve dhe prodhimin e ferrokromit.
Operacioni kishte si objektiv goditjen e veprimtarive kriminale që dëmtojnë rëndë mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve, duke zbuluar një skemë të gjerë shkeljesh në zonën e ish-Metalurgjikut në Bradashesh, Elbasan.
Si rezultat i ndërhyrjes policore, në pranga kanë përfunduar administratorë, drejtorë prodhimi, inxhinierë, drejtues teknikë, përgjegjës turni, operatorë furrash dhe punonjës.
Mes të arrestuarve janë:
Juncheol Chung (J. C.), 64 vjeç, shtetas korean, administrator
Prakash Kadel (P. K.), 32 vjeç, shtetas nepalez
Shtetas indianë: Rahul Pal, Styend Pal, Munna Singh, Rajesh Yadav, Aaditiya Raj, Dheeraj Kumar, si dhe shtetas të tjerë me funksione teknike dhe operative
Shtetas shqiptarë: Jakup Karaj, Ismail Dybeli, Dorjan Xhufka, Elton Bejkolli, Besnik Abdiaj, Elton Beqi, Eglis Flaga, me role të ndryshme në aktivitetin e subjekteve
Gjithashtu, është arrestuar I. D., 60 vjeç, shefi i Sektorit të Mjedisit në Bashkinë Elbasan, i dyshuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Bazuar në ligjin nr. 9754, datë 14.06.2007, “Për përgjegjësinë penale të personave juridikë”, dy subjekte tregtare janë proceduar penalisht për aktivitet të paligjshëm që ka shkaktuar ndotje serioze të ajrit, ujërave dhe tokës.


