Refleksion në Strategjinë e re Amerikane 2025 për Ballkanin – Analiza e kolonelit

spot_img
Advertisements

Kristaq Xharo*

Pak ditë më parë u publikua Strategjia e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara (SSK-2025), dokumenti më përcaktues i gjeopolitikës amerikane për vitet që vijnë. Ajo që pritej, por nuk dëshirohej, ndodhi. E paralajmëruar prej vitesh, strategjia i gjeti sërish shumë kryeqytete evropiane të papërgatitura, ende të zhytura në romantizmin e një rendi që besonin se ishte i përhershëm.
Strategjia e re amerikane erdhi si një zë i fortë që tronditi më shumë se tetë dekada rehatie strategjike. Me mesazhe të ftohta dhe të drejtpërdrejta, ajo u shfaq si një dritë e ndezur papritur në një dhomë gjysmë të errët: gjithçka që ishte lënë pas dore u bë e dukshme. Strategjia shprehet se Amerika nuk po i mbyll derën ndaj Europës, por i kërkon asaj të shohë veten pa iluzione. Dhe për shumëkënd, pikërisht kjo është pjesa më e vështirë për t’u pranuar.

Kjo strategji përfaqëson një zhvendosje tektonike në gjeopolitikën amerikane, me pasoja të ndjeshme në të gjithë globin – por veçanërisht në Europë dhe për pasojë edhe në Ballkan. Një analizë e plotë e saj kërkon angazhim emergjent institucional: qeveri, këshill sigurie, komisione parlamentare e të tjerë. Ky shkrim nuk merr përsipër të analizojë strategjinë dhe implikimet direkte të saj, por vetëm të ndalet në momente që prekin direkt apo indirekt hapësirën shqiptare.

Leximi i SSK-2025 tregon qartë se nuk kemi të bëjmë vetëm me një ripozicionim amerikan, por me një ndryshim epokal në mënyrën se si do të konceptohet siguria kolektive. NATO-ja, Evropa dhe Ballkani nuk trajtohen më si pjesë të një rendi të ngrirë, por si elementë të një arkitekture dinamike, ku përgjegjësia dhe fuqia janë rikthyer në qendër. Mesazhi është i qartë: epoka e rehatisë strategjike ka përfunduar; ka nisur epoka e fuqisë individuale dhe e përgjegjësisë sovrane.

Amerika e vitit 2025 flet hapur gjuhën e realpolitikës. “America First” nuk paraqitet më si slogan retorik, por si parim udhëheqës i politikës së jashtme. SHBA nuk synon më të luajë rolin e “policit global” në çdo cep të botës. Prioritetet janë të brendshme dhe thelbësore: siguria kombëtare, ekonomia, teknologjia, mbrojtja dhe qëndrueshmëria shtetërore. Aleancat mbeten të rëndësishme, por vetëm nëse janë funksionale, të balancuara dhe të bazuara në kontribut real. Besnikëria simbolike nuk mjafton më.

Në mes të Amerikës dhe Europës qëndron NATO. Strategjia e re nuk e mohon aleancën, por ia ndryshon dukshëm natyrën. NATO nuk trajtohet më si një garanci e dhënë sigurie e mbështetur vetëm te neni 5, por si një mekanizëm që funksionon vetëm nëse secili anëtar mban peshën e vet. SHBA shtyn qartë që, brenda vitit 2027, mbrojtja konvencionale e Evropës të jetë kryesisht përgjegjësi evropiane, ndërsa roli amerikan të fokusohet te garancia strategjike.

Transformimi i NATO-s lidhet drejtpërdrejt edhe me nenin 3 të Traktatit, i cili kërkon që çdo vend të zhvillojë kapacitete individuale dhe kolektive për t’i bërë ballë kërcënimeve. Ky nen, shpesh i anashkaluar, fiton peshë të re në kontekstin e SSK-2025. Në këtë kontekst (sipas strategjisë) Aleanca nuk dobësohet; ajo bëhet më kërkuese. Theksi zhvendoset nga garancitë e supozuara te aftësitë reale, nga solidariteti deklarativ te kontributi i matshëm.

Ky ndryshim e vendos Europën përballë vetvetes. Për dekada, kontinenti ka jetuar në një realitet ku paqja u mor si gjendje natyrore dhe fuqia ushtarake si relike e së shkuarës. Robert Kagan, mendimtar amerikan i strategjisë e përshkroi saktë këtë gjendje kur shkroi se “Europa ka jetuar gjatë në një botë post-historike”. Strategjia Amerikane 2025 shpall fundin e kësaj epoke. Kritikat ndaj Evropës janë të drejtpërdrejta: dobësim demografik, migrim i pakontrolluar, rënie e kohezionit shoqëror dhe zbehje e sovranitetit kombëtar përmes strukturave transnacionale. Ky nuk është gjykim moral, por vlerësim strategjik. Duket si një vlerësim më i ashpër i J.D. Vance në Munih.

Përtej këtij vlerësimi, pozicioni i Europës ndaj NATO-s dhe SHBA-së bëhet gjithnjë e më i ndërlikuar. Ndërsa Europa mbetet e varur nga garancia strategjike amerikane, veçanërisht nga parandalimi bërthamor, por njëkohësisht asaj i kërkohet të marrë barrën kryesore të mbrojtjes konvencionale të kontinentit, brenda vitit 2027. Kërkesa për autonomi strategjike përplaset direkt me mungesën e kapaciteteve dhe të vullnetit politik për ta bërë atë reale.

Ballkani e përjeton këtë ndryshim më drejtpërdrejt se kushdo tjetër, sepse historia e tij është ndërtuar mbi kalime të shpeshta nga prania në mungesë, nga garancia në vakum. Edhe pse Strategjia e re Amerikane e Sigurisë nuk i kushton një kapitull të posaçëm rajonit, pasojat e saj janë të menjëhershme dhe të prekshme. Sa herë që fuqitë e mëdha janë ripozicionuar, Ballkani ka qenë një nga hapësirat e para ku pasiguria është kthyer në tension politik dhe konflikt. Në kontekstin aktual, një NATO në transformim dhe një Europë ende e pasigurt për rolin e saj strategjik e vendosin Ballkanin përballë një realiteti të vjetër në formë të re: nevojës për të mbajtur më shumë barrë vetë. Vakumet strategjike, dikur të mbuluara nga prania amerikane dhe nga zgjerimi euro-atlantik, sot rrezikojnë të rihapen nëse përgjegjësia nuk merret nga vetë rajoni. Në tërësi, Ballkani mbetet hapësirë ku kanë qenë ndërthurur sukseset ose dështimet e NATO-s dhe Europës.

Në këtë nyje strategjike, Shqipëria dhe Kosova duket se kanë role të ndryshme – njëra si anëtare e NATO-s, tjetra si përfituese kryesore e ndërhyrjes së saj – por fate të pandashme. Stabiliteti i njërës lidhet drejtpërdrejt me qëndrueshmërinë e tjetrës, ndërsa të dyja janë të thirrura të kalojnë nga pozicioni i objekteve të sigurisë në subjekte aktive të saj.

Shqipëria, si anëtare e NATO-s, përballet me fundin e komoditetit strategjik. Anëtarësimi nuk është më një qëllim në vetvete, por një detyrim për të prodhuar siguri reale. Pyetja thelbësore nuk është më “me kë je?”, por “çfarë ofron?”. Lufta për pushtet, e jo për shtet, gjatë këtyre tridhjetë viteve ka çuar në minimizimin e kapaciteteve të fuqisë kombëtare. E dobësuar nga vetëshkatërrimi gradual, Shqipëria ndodhet sot përballë një momenti kritik ringritjeje: me një infrastrukturë të tjetërsuar, industri ushtarake të shuar, kapacitete force në nivele minimale, një identitet të fragmentuar dhe një moral kombëtar të reduktuar në simbole episodike – shkolla 9-vjeçare, ndeshje të kombëtares dhe nostalgji të diasporës. Është një realitet që nuk kërkon alibi, por një kthesë strategjike.

Kosova e përjeton këtë reflektim edhe më thellë. Siguria dhe vetë ekzistenca e saj janë rezultat i një vendimi strategjik amerikan dhe të NATO-s për të përdorur fuqinë. Por Strategjia e re e bën të qartë se stabiliteti afatgjatë nuk mund të mbështetet vetëm në praninë ndërkombëtare. Siguria duhet kuptuar si proces në ndërtim, jo si gjendje e garantuar. Të menduarit se një ditë KFOR nuk do të jetë aty, dalja nga taktikat elektorale afatshkurtra, shmangia e përplasjeve të panevojshme me aleatët dhe ndërtimi i sigurisë si pjesë e një strategjie kombëtare të qëndrueshme janë nevoja të menjëhershme.

Në fund, Strategjia Amerikane e Sigurisë 2025 edhe pse nuk shënon fundin e aleancës euroatlantike, ajo qartëson fundin e një iluzioni të gjatë: se siguria vjen pa kosto. Epoka e fuqisë nuk është epokë cinizmi, por epokë sinqeriteti strategjik. Për Shqipërinë dhe Kosovën, mesazhi duket i qartë: në një botë ku fuqia ‘është e vetmja monedhë e këmbyeshme’ duke u rikthyer në rolin qendror, nuk mjafton të kesh aleatë – por duhet të ndërtosh kapacitetet e veta të sigurisë. Analiza vazhdon….

  • Prof. Dr. Kristaq Xharo:

Latest articles

Related articles