Shqipëria dhe 8 dhjetori. Si të ëndërrosh keq

spot_img
Advertisements

nga Altin Gjeta

Shqipëria shënon sot 35 vjetorin e fillimit të lëvizjes studentore për rrëzimin e diktaturës komuniste. Dalja e studentëve në rrugë nxiti një zingjir ngjarjesh që kulmoi me themelimin e pluralizmit politik dhe formalisht rënien e sistemit komunist në mars 1992.

‘E duam Shqipërinë si gjithë Evropa’ u bë lajtmotiv i studentëve në rrugët dhe sheshet e Tiranës në ato ditët e ftohta dhjetori. E izoluar për gjysëm shekulli, Shqipëria përfundoi në nga vendet më të varfra në botë, me më pak se dy dollarë për frymë në ditë sipas Bankës Botërore.

Megjithatë, pas hapjes me botën perëndimore dhe themelimit të njëlloj pluralizmi rudimentar, shpresat ishin të mëdha se Shqipëria do t’i bashkohej familjes Evropiane duke ndërtuar demokraci funksionale, shtet të së drejtës dhe ekonomi tregu.

Kjo nuk ka ndodhur akoma, dhe mendoj kryesisht për shkak se shqiptarët kanë ëndërruar keq.

Të ëndërruarit si koncept politik është i lidhur me realizimin e një objektivi të dëshiruar, por të vështirë në të ardhmen. Po këtë funksion motivues dhe shikim drejt një të ardhmeje më të mirë ka edhe shpresa. Kur ëndërrojmë dhe shpresojmë për mirë, presupozohet se punojmë për arritjen e qëllimeve ose jemi të gatshëm të sakrifikojmë për më të mirën e dëshiruar. Për shembull, një komb i pushtuar duron kushtet e vështira të pushtimit por nuk dorëzohet dhe lufton, ashtu siç edhe një i sëmurë rëndë edhe pse e di që shanset për mbijetesë janë të vogla shpreson tek trajtimi mjeksor duke u përpjekur me sëmundjen.

Përkundër kësaj ane motivuese, të ëndërruarit mund të rezultojë katastrofik për individin apo një shtet. Sepse shpresa duhet të jetë e bazuar në realizëm dhe mbi të gjitha duhet të shoqërohet me akte organike, konkrete në arritjen e qëllimit. Pra, nëse një shoqëri thjesht ëndërron për arritjen e një qëllimi (ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa) por nuk punon dhe mendon në mënyrë kritike në lidhje me objektivin e vendosur, shpresa humbet dhe çfarë mbetet është dëshpërimi.

Shqipëria nuk është sot ekonomia e dytë më e varfër në botë, por është vendi ku dëshpërimi ka larguar nga vendi gjysmën e popullsisë. E zhbalancuar demografikisht, me qyetete dhe fshatra të zbrazur, dështimi për ta bërë ‘Shqipërinë si gjithë Evropa’ po vret të ardhmen e vendit. Edhe pse 35 vite nga rënia formale e regjimit komunist, Shqipëria mbetet regjim hibrid, madje me regres në termat e ndërtimit të demokracisë dhe institucioneve funksionale. Mbi të gjitha, vendi ka krijuar një model ekonomik oligarkik që ka vrarë mundësinë për të prodhuar mirëqënie sidomos për të rinjtë.

Dështimi për ta ndërtuar Evropën këtu fillimisht e mandej për t’iu bashkuar në Bruksel nuk është thjesht si pasojë e mungesës së aftësisë së veprimit si mbajtja e zgjedhjeve të rregullta, presioni ndaj elitës për ndryshim, rezistenca ndaj korrupsionit endemik, mendimi kritik brenda partive politike dhe udhëheqjes.

Por, shqiptarët kanë ëndërruar keq edhe në një formë tjetër; kanë shpresuar se Shqipërinë evropiane do ta ndërtojnë të huajt. Kështu, Shqipëria është angazhuar prej tre dekadash në një marrëdhënie varësie të pashëndetshme me ndërkombëtarët duke e pritur shpëtimin prej tyre. Shikoni, të gjithë reformat e mëdha ekonomike, kushtetuese apo politike janë deleguar tek ndërkombëtarët pa asnjëlloj qasje kritike nëse po funksionojnë apo jo. Terapia e shokut në vitet 1990, ndërtimi i institucioneve jofunksionale, ndryshimet kushtetuese të herë pas herëshme dhe pamundësia për të zgjidhur ngërçet politike pa prezencën e ndërkombëtarëve janë vetëm disa nga shembujt e kësaj varësie të pashëndetshme.

Dhe reformat e imponuara nga ndërkombëtarët sigurisht nuk kanë qenë asnjëherë organike sepse elita shqiptare nuk i ka brendësuar. Prandaj, jo më kot Shqipëria ka përfunduar një demokraci dhe ekonomi tregu në letër, por që në thelb mbetet autokraci. Sepse elita shqiptare i ka përqafuar vlerat demokratike siç thotë Ivan Krastev si imitim.

Për ta risjellë edhe njëherë analogjinë e të sëmurit dhe shpresës, pra, Shqipëria nuk ka arritur në asnjë moment në këto dekada të jetë analizuese dhe të ëndërrojë mirë. Edhe pse terapia e përshkruar shpesh nga jashtë nuk ka funksionuar, shqiptarët nuk kanë ngritur asnjë pyetje pse trupi politik nuk po shërohet ose manifeston efekte të rënda anësore. As nuk janë përpjekur të kuptojnë dhe shërojnë vetë trupin politik nën dritën e fakteve të reja klinike.

Sot, kur vendi feston ditën e rinisë, ka mbetur pa rini, pa shpresë dhe pa të ardhme. Dhe kjo, në masë të madhe sepse ka ëndërruar keq. Të ëndërrosh keq do të thotë të krijosh varësi klinike, të vrasësh aftësinë tënde për të vepruar dhe menduar në mënyrë kritike. Prandaj, ky 8 dhjetor e gjen Shqipërinë të dëshpëruar sepse ka menduar se demokracia, shteti i së drejtës dhe interesi kombëtar ndërtohet me iluzione dhe delegim të vetë-qeverisjes.

Latest articles

Related articles