Dogana e Kakavijës do të jetë sërish e bllokuar mbrëmjen e sotme, për tre orë me radhë, për shkak të protestave të fermerëve në Greqi. Ata vazhdojnë prej disa ditësh të kërkojnë subvencione dhe mbështetje për bujqësinë, duke bllokuar autostradat.
Policia Kufitare Kakavijë, nëpërmjet qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit Kakavijë, është njoftuar se aksi rrugor Kakavijë–Janinë, në kryqëzimin e fshatit Kallpaq, do të jetë i bllokuar për shkak të protestës.
Kështu, ditën e sotme nga ora 18:00 deri në orën 21:00 (me orën greke), do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore. Policia Kufitare Kakavijë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe sugjeron planifikimin e udhëtimeve me automjete, në orare të tjera të ditës.


