nga Red Varaku
Strategjia e re e Sigurisë Kombëtare të SHBA për vitin 2025 shënon fundin e një epoke dhe fillimin e një realiteti të ri brutal për Ballkanin.
Për dy dekada, rajoni ka jetuar me bindjen se Amerika është gjithmonë këtu, gjithmonë gati të ndërhyjë, gjithmonë e gatshme të zgjidhë konfliktet që elitat lokale nuk duan t’i zgjidhin vetë.
Ky iluzion mbaroi.
Uashingtoni tashmë e ka bërë të qartë që misionet morale kanë rënë, ndërhyrjet gjeopolitike janë luks, dhe Ballkani nuk është më as prioritet, dhe nuk ka më as peshën strategjike që deri tani ka pasur.
SHBA po ndërton një doktrinë të ftohtë, aritmetike, ku interesat kombëtare mbizotërojnë çdo gjë tjetër dhe në këtë listë, Ballkani është në fund.
Kjo strategji paralajmëron tërheqjen e SHBA nga Ballkani dhe delegimin e përgjegjësive për të vetë Europës .Por BE-ja është një gjigant administrativ me muskuj politikë të dobësuar. Ajo nuk ka as mjetet, as vullnetin, as kohezionin për të menaxhuar Ballkanin pa SHBA-në.
Kjo “dorëheqje e heshtur” e Amerikës hap portat për një lojë të rrezikshme influencash. Rusia me propagandën, Kina me paratë, Turqia me ambiciet neo-otomane, Serbia me nacionalizmin e vjetër. Kështu Ballkani po hyn në një fazë të re, ku mungon arbitri dhe lojtarët luajnë pa rregulla.
Për herë të parë që prej 1999-s, me këtë plan Kosova nuk është më një projekt gjeostrategjik amerikan, por një problem për t’u menaxhuar me “kosto minimale”.Për pasojë Kosova do duhet të mësohet me një realitet të ri, pa garanci të fortë Amerikane.
Nga ana tjetër, asnjë vend në rajon nuk përfiton më shumë nga kjo strategji sesa Serbia. Me SHBA-në të distancuar, Beogradi ka më shumë hapësirë të manovrojë mes Moskës, Pekinit dhe Brukselit. Dhe në një botë transaksionesh, Serbia di çfarë të shesë.
Më e goditura nga kjo strategji duket se është Shqipëria. Me këtë strategji Tirana nuk është më porta kryesore e SHBA-së në rajon. Me doktrinën e re amerikane Shqipëria humbet një status të paartikuluar, por real, atë të ambasadorit të interesave amerikane në rajon.
Tani Shqipëria do të duhet të sillet si shtet, jo si vasal i privilegjuar. Dhe ky është një test i vështirë politik për një vend që për 20 vite është mësuar të fshihet pas ombrellës amerikane.
Rënia e vëmendjes amerikane do prodhojë një rajon më të tensionuar, më pak të menaxhueshëm dhe më të ekspozuar ndaj influencave të jashtme.
Në Bosnje rritet rreziku i një ndarjeje të heshtur. Në veriun e Kosovës do rikthehen tensionet .
Ndêrkaq Maqedonia hyn në rrezik të një lufte etnike.
Ky është realiteti i ri i rajonit. Më pak Amerikë, më pak siguri, më shumë peshë mbi shpatullat e aktorëve lokalë. Dhe ky është testi i vërtetë për Ballkanin.
A do të dijë ky rajon të mbijetojë pa SHBA?A do të arrijë Ballkani të kontrollojë demonët e vet historikë? Nëse jo, epoka e re nuk do sjellë stabilitet, por një cikël të ri krizash të heshtura.


