Shumë analistë sigurie thonë se Pekini nuk kërkon ndikim vetëm me diplomaci dhe ekonomi, por edhe duke shfrytëzuar dobësitë e vendeve të tjera. Kjo quhet shpesh “luftë asimetrike”: presion dhe dëm pa tanke e aeroplanë, por me para, drogë dhe teknologji.
Shembulli më i komentuar është kriza e fentanylit në SHBA. Kompani kineze prodhojnë kimikate që mund të përdoren për drogë shumë të rrezikshme, të cilat eksportohen në vendet latine e më pas përfundojnë në rrugët amerikane. Vendet latine janë një udhëkryq i rëndësishëm edhe për narko trafikantët shqiptarë. Pekini zyrtarisht mohon që kjo të jetë strategji e qëllimshme, por raporte ndërkombëtare ngrenë pyetje serioze se sa fort kontrollohet kjo industri dhe kush përfiton nga dobësia e tregjeve perëndimore.
Në të njëjtën kohë, rrjete financiare të lidhura me qytetarë dhe biznese nga Kina dyshohet se përdoren për pastrimin e parave të krimit në Europë, përfshirë edhe Ballkanin. Shiko sistemin “Hawala” ku janë të përfshirë dhe narko-trafikantët shqiptarë. Paratë e drogës futen në tregti, në mallra, shpesh të fallsifikuara, biznese apo makina elektrike dhe dalin në sipërfaqe si fitim “i pastër”.
Këtu hyn sërish dhe Shqipëria. Taksa zero për makinat elektrike, kontroll i kufizuar mbi flukset e mëdha të cash-it dhe rritja e aktivitetit dixhital të dyshimtë e bëjnë vendin të ndjeshëm ndaj skemave të tilla. Mendoni se sa shumë janë rritur numrat e agjensive të taksive me makina elektrike, si u liberalizuan licencat e taksive në Tiranë dhe u rrit importi paralel i makinave elektrike, pa harruar call centerat që veprojnë me softuare të dyshimtë. Kjo nuk do të thotë se çdo biznes kinez, produkt dixhital apo çdo makinë elektrike është problem, por rreziku që Shqipëria të perceptohet si “lavatriçe” e parave dhe riskut gjeopolitik për një vend të NATO-s është real.
Pyetja që mbetet është: a po ecin institucionet me shpejtësinë që kërkon kjo lojë e re, apo janë bashkëpunëtore të saj?
Deri sa t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje, ekziston dyshimi që nuk kemi të bëjmë thjesht me narko-trafikantë, por me narko-komunistë!


