Plani i Trump, SHBA i vetmi fitues i madh – ANALIZA

spot_img
Advertisements

nga Red Varaku

Plani 28-pikësh për paqen në Ukrainë, i hartuar nga ekipi diplomatik i Trump dhe i koordinuar me Moskën, nuk është një marrëveshje që synon të rikthejë drejtësinë apo të garantojë ekuilibër. Ai është një instrument për të rikonfiguruar arkitekturën globale të sigurisë, duke vendosur Shtetet e Bashkuara si arbitër absolut të sigurisë euroatlantike.

Ky është problemi dhe njëkohësisht thelbi. Marrëveshja është ndertuar që të gjitha palët të marrin diçka, por vetëm një fuqi të fitojë gjithçka, SHBA.
Me këtë plan, Uashingtoni e frenon afrimin e rrezikshëm mes Rusisë dhe Kinës, e fut Moskën gradualisht në sistemin ekonomik perëndimor, e mban Evropën të varur nga siguria amerikane dhe e shndërron rindërtimin e Ukrainës në një projekt fitimprurës me përfitime të mëdha financiare, teknologjike dhe strategjike.

Në sytë e amerikanëve, kjo është matematika perfekte e superfuqisë. SHBA nuk e fiton luftën në fushën e betejës, por e fiton tavolinën e shahut gjeopolitik.

Rusia merr fitime të mëdha taktike, por pëson humbje totale strategjike.

Në këtë plan, Rusia duket se fiton shumë. Ajo mban Krimenë dhe pjesën më të madhe të Donbasit, merr heqjen graduale të sanksioneve dhe rikthehet në ekonomi botërore, madje deri në G8. Moska përfiton gjithashtu projekte të përbashkëta energjetike, industriale dhe teknologjike me SHBA, një qasje që i jep stabilitet ekonomik të menjëhershëm regjimit të Putinit.
Por këto fitime kanë një çmim strategjik, Rusia largohet nga rruga e varësisë tek Kina dhe futet sërish nën orbitën perëndimore. Moska perfiton territore, por humb mundësinë për të formuar një bosht Moskë–Pekin si kundërpeshë globale ndaj SHBA-së.

Me kthimin në arkitekturën perëndimore, Rusia pranon joformalisht statusin e saj si fuqi rajonale dhe jo si fuqi që mund të rishkruajë rendin botëror. Pra, Putini mund të fitojë një copë të Ukrainës por Amerika fiton Rusinë.

Evropa fiton stabilitet ekonomik, por humbet sovranitetin strategjik

Evropa hyn në këtë marrëveshje nga lodhja dhe frika. Lufta ka shkaktuar inflacion, krizë energjetike dhe frikë bërthamore. Plani është praktik. Ai i jep kontinentit stabilitet, i jep fund pasigurisë ekonomike dhe jep garanci se konflikti nuk do të përshkallëzohet në territorin europian. Në këtë kuptim, Evropa fiton qetësi dhe parashikueshmëri.

Por humbja për Europën është e thellë dhe e heshtur. Evropa i dorëzon Shteteve të Bashkuara sovranitetin strategjik. Ajo nuk do të ketë arkitekturë të pavarur sigurie, nuk do të ketë ushtri europiane, NATO nuk do të funksionojë pa SHBA-në, dhe çdo ekuilibër me Rusinë do të negociohet vetëm nëpërmjet Uashingtonit. Kështu, kontinenti që pretendonte dhe kerkonte të çlirohej nga varësia amerikane përfundoi edhe më i varur se më parë.

Ukraina mbyll luftën, por jo plagën dhe konfliktin.

Ukraina është lojtari që me këtë plan do paguajë çmimin më të lartë dhe merr më pak në këmbim. Ajo ruan shtetësinë, merr disa garanci të sigurisë dhe fiton perspektivë europiane, por humb tokë, humb sovranitet të plotë ushtarak dhe detyrohet të pranojë neutralitet të përhershëm.

Në vend të fitores morale dhe territoriale që i ishte premtuar në fillim të luftës, Ukraina merr një konsolidim të statusit të vet si shtet-tampon midis dy superfuqive.

Ky plan nuk i garanton Ukrainës të ardhmen. Ai i garanton vetëm një pauzë. Siguria mbetet e kushtëzuar, ushtria e kufizuar, dhe çdo përpjekje e ardhshme për të ndryshuar kufijtë me forcë e kthen vendin në pikën zero. Ukrainës i kërkohet të mos mendojë për fitore, por për mbijetesë, një realitet i hidhur për një popull që luftoi me bindje se drejtësia do të triumfonte.

Si përfundim Plani i Trump është një marrëveshje me shumë fitues të pjesshëm, por me vetëm një fitues absolut SHBA- të. Rusia fiton territor, por humb perspektivën strategjike euroaziatike. Evropa fiton stabilitet, por humb sovranitetin. Ukraina fiton paqen, por humb ëndrrën e saj të lirisë së plotë. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara fitojnë atë që kanë synuar gjithmonë, kontrollin e ekuilibrit të fuqisë në Euroazi dhe statusin e padiskutueshëm të superfuqisë që vendos rregullat e lojës.

Latest articles

Related articles