ETHET E BOJËS – një analizë e panairit të 28-të të Librit

spot_img
Advertisements

Virion GRAÇI

Panairi i librit, i konceptuar si gara/mundësi shitjesh, ngjan me kontrollin teknik të makinave: pikasin defekte, mangësi dhe të meta që nuk i di ose i bën veshin shurdh a syrin qorr; sepse, “hiq e mos këput”, “ta shtyjmë si ta shtyjmë”, në mendësinë rudimentare, fshihemi pas gishtit.

Panairi i librit, i konceptuar si veprimtari e mirëfilltë ekonomike-fitimsjellëse, i jep një grusht të fortë librarive që paguajnë qira vjetore, punonjës në dy turne, taksa; duke i rënë në shkelm vidheve autorëve pa popullaritet/autoritet populist – pak gëzon e shumë lëndon.

Është në interesin e të gjithëve të kemi shtëpi botuese në gjendje të mirë financiare dhe gjendja e kënaqshme të jetë pasojë e libër-shitjeve; për këtë janë librat/seritë e tirazheve të larta: kryesisht para letërsisë, pa gjasa t’u mbijetojnë dekadave, por si oksigjen për të mbajtur në jetë gjithë zinxhirin editorial, si dhe libra/kategori të përzgjedhura që nuk mund të jenë aq fatlume sa librat e gatimeve, të jetëshkrimeve nga njerëz të sportit, të modës, të politikës, të show televiziv, etj.

Në këto 28 vite panair libri në Tiranë, nuk kam qenë ndonjëherë në ndonjë jurí dhe aq më pak përfitues i ndonjë çmimi për librat e mi. Më është kërkuar ndonjë “prononcim” siç thuhet, dhe deri parvjet nuk kam bishtnuar.

Kam thirrur në tryeza diskutimesh dhe kam folur. Kam shkruar (vullnetarisht) me qindra faqe shënime për libra të përsërit dhe të letërsisë shqipe. Kur kolegët më kërkojnë adresa emaili, numra telefonash a “lidhje & persona kontakti” që mund tu hyjnë në punë për bashkëpunime promovuese/botuese, nuk kam ngritur supet të bëj të paditurin; përkundrazi. I kam parë përherë në sy, dhe ata që shikojnë shtrembër ose për dhe, për shkak psikologjik.

Kam bërë qortime të lehta humoristike, në nivel autoironie, siç kam vuajtur në heshtje pamundësinë e sjelljes së gjërave dhe punëve të librit në përgjithësi afër përfytyrimeve të mia dëshirorë.

Të dashur miq, kolegë, lexues: tre ditë fushate thirrjesh për shitje librash nuk mjaftojnë për të kapërcyer ylberin; përkundrazi: Intensivisht hetojmë gjendjen mesatare të editorisë sonë, nivelin kulturor të shoqërisë sonë, nivelin e letërsisë shqipe dhe asaj të ardhur në shqip.

Të jemi realistë: Për aspekte kaq jetike sa marrëdhënia jonë me librin, shoqëria jonë nuk mund të tregojë tjetër qasje a vitalitet përveç asaj që tregon dhe ndaj faktorëve të tjerë përcaktues të jetës së tij shoqërore e familjare. Nuk ka metamorfoza të këndshme. Kur ndodh metamorfoza, ndodh kundër njeriut; si te F. Kafka, shndërrimi e bën njeriun kandër e jo e anasjellta.

Më gëzon fakti që kemi panair mbarëkombëtar libri, më gëzon edhe më shumë fakti se ujërat e trazuar nga treguesit mediatikë & shifrorë për tituj e autorë kanë përpara muaj e vite për tu kthjelluar; çfarë meriton të dekantohet, do të dekantohet, çfarë do të ngelet mbi sitë, do të ketë shkëlqimin dhe jetën e grimcës së floririt.

Latest articles

Related articles