Qindra qyteatrë kanë protestuar ditën e sotme përpara bashkisë Durrës. Ky tubim është mbajtur nga banorë që preken nga projekti “TID Durrës”. Ky projekt po shpronëson dhe shkatërron shumë prona familjare brenda zonës historike të qytetit.
Qytetarët kanë deklaruar se tubimi po mbahet si reagimi qytetar ndaj një projekti që po zbatohet pa transparencë, pa konsultim publik dhe në kundërshtim me parimet e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore. Gjithashtu banorët e kanë cilësuar vendimin për prishjen e banesave dhe bizneseve në zonën historike të qytetit, përgjatë bulevardit “Epidamn”, si spastrim etnik.
Si pjesë e qendrës historike, bulevardi “Epidamn” do t’i nënshtrohet një projekti rijetëzimi të njohur si TID Durrës, i cili po realizohet përmes një marrëveshje bashkëpunimi mes Fondit Shqiptaro- Amerikan të Zhvillimit, Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Durrësit.Por projekti ka shkaktuar shqetësime, pasi parashikon të prekë dhjetra prona private dhe t’i shpronësojë ato me vlera poshtë çmimit të tregut.Qeveria ka lëvruar një shumë të përgjithshme prej 315,5 milionë lekësh, të cilat do t’i shërbejnë shpronësimit të një grupi prej 74 familjesh. VKM e fundit përcakton se banesat ndodhen kryesisht në të dy anët e bulevardit “Epidamn”.


