nga Ilirjana Stankaj
Gjithë natën ra shi i dendun.
Në nji shtëpi ( ku banojnë tre të moshuar, por jo vetëm këta ), në qendër të Shkodrës, çdo pikë shiu s’bie mâ nga qielli – bie nga çatia që s’e kanë mâ ( të cilin nji “urdhër shtetëror” e hoqi, por nuk hoqi akoma ndërtimin pa leje të nji shkelësi që nuk asht as trashigimtar, as pronar, as bashkëpronor ), për me ndëshku padrejtësisht viktimat ( se fajtori i paska ” rrânjët nalt “)…
Uji tashmâ ka hy në çdo kat.
Në të tretin asht përmbytje, në të dytin bie shiu brenda ( ku jetojnë dy të moshuar ), në të parin ka fillu …
E gjithë kjo, sepse dikush e preku shtetin aty ku i dhemb – në interesat, lidhjet dhe “miqësitë” që kanë zëvendësuar ligjin!!
Njoftuam të gjithë: Policinë e Rendit, Policinë Bashkiake, Emergjencat, Zjarrfikësat.
Të gjithë erdhën – shkrepën foto e ikën…
Askush s’ndërhyu.
Arsyeja?
Shkelësi nuk lejon shtetin me aksesu ndërhyrjen.
“Nuk kemi të drejtë pa leje të Bashkisë.” – thonë gjithsecili…
Po a ka mâ absurditet se ky?!
Shteti që duhet të të mbrojë, çon shpatullat e i dorëzohet shkelësit!!
Pra, shkelësi vendos, viktima pëson, shteti hesht.
Realitet ” Made in Albania”!!
Kjo nuk asht histori personale – asht plaga e nji vendi që po mbytet në burokraci, në frikë dhe në pazare ” të fortish “…
Asht historia e çdo qytetari që i drejtohet institucioneve me besim dhe kthehet i zhgënjyer, i lagun, i lëndum!!
Kur drejtësia bahet e shurdhër, njeriu nuk shpërthen nga ligësia, por nga dëshpërimi.
Siç tha Camus: “Nuk asht njeriu që bie në absurditet, por sistemi që e harron kuptimin e vet.”
Sot, unë nuk po kërkoj mëshirim.
Kërkoj shtet!!
Kërkoj arsye, ndjeshmëri, veprim!!
Sepse çdo ditë që vonohet drejtësia, çdo pikë shiu që bie mbi çatinë që s’asht mâ – asht nji turp i stërmadh për institucionet që na drejtojnë.
Në këtë vend, edhe shiu tashma ka fillu të derdhet me drejtësi mâ të madhe se shteti: po nxjerr n’pah pisllëkun që e paska mbulu këtë vend ( qytetin tonë ) nën maskat e buzëqeshjet e shtiruna të atyne që po na vjedhin, shkatërrojnë, vrasin tinëzisht…
i.s


