Nga Dashnor Kokonozi
Jo të gjithë shkrimtarët sovjetikë shkruanin e qyrraviteshin për mustaqet e Stalinit. Por, nëse është folur gjerë për Abramovin, S. Zalygin-in, Tvardovskin apo për botimet Samizdat, më pak është folur për Vasili Grosman dhe romanin e tij “Jetë e fat”. Një nga librat që dikur më ka ndihmuar të ndaj mendjen përfundimisht për rolin e pathënë kurrë të Revolucionit rus, për të kuptuar se aty është edhe origjina e fashizmit. Për ta thënë shqip!
Ka një episod të jetës së V. Grosman-it që nuk mungon në asnjë biografi të shkruar për të. Librin “Jetë e fat”, një afresk madhështor i betejës së Stalingradit, ku autori ishte i pranishëm si gazetar, ai e përfundoi më 1962 dhe dorëshkrimin e dorëzoi në revistën Znamia.
Vadim Kojevnikov, kryeredaktori i revistës e lexoi me kujdes, mbylli zyrën e shkoi ta dorëzojë te ai institucioni mjaft i njohur, në sheshin Ljublianka, te selia e KGB-së. Pas kësaj e ndjeu veten mjaft më të qetë. Ajo që kishte lexuar e kishte tmerruar.
Romani “Jetë dhe fat”, ka trajtën e një akt-akuze të pamëshirshme kundër regjimit stalinist, një kritikë e thellë që nuk ishte shkruar kurrë ndonjëherë nga një shkrimtar sovjetik.
Si gazetar lufte, Grossman do të jetë nga të parët që hyri në kampin e shfarosjes në Treblinka si edhe në Majdanek. Dëshmitë e tij u përdorën gjërësisht në Procesin e Nurembergut.
Megjithatë është për t’u shënuar se pavarësisht nga presionet që iu bënë, Grosman asnjëherë nuk pranoi të hynte të radhët e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik.
Sot ata që analizojnë arsyen e konfiskimit të romanit “Jetë e fat” thonë se romani i Pasternakut Doktor Zhivago edhe pse u cilësua si kundërrevolucionar, nuk u konfiskua nga policia. Përgjigjen, natyrisht e jep vetë libri i Grossman-it.
Këtu edhe pse nuk më mungon dëshira të bëj një përmbledhje të tij (sepse e di që nuk do të ketë shumë vullnetarë që do të ulen sot të lexojnë më shumë se një mijë faqet e këtij romani), duket interesante po të ndalojmë në dy tre momente të tij, që mua më kanë lënë më përshtypje.
Njëri është biseda në një kamp përqendrimi midis Liss, një oficer SS i rangut të lartë dhe një funksionari bolshevik të zënë rob: “Kur ne shohim njëri tjetrin, i thotë Liss bolshevikut të vjetër, ne nuk shohim vetëm një fytyrë që urrejmë, por shohim edhe veten në pasqyrë. Mendohu mirë, kush gjendet në kampet tona të përqendrimit në kohë paqeje? Armiqtë e partisë dhe armiqtë e popullit, apo jo? Ne jemi veçse e njëjta lëndë në dy forma të ndryshme. Shtet-parti “(faqe 371 e botimit frëngjisht).
Më tej më la pa gojë analiza që Grosman i bën Betejës së Stalingradit, rolit të saj në histori. “Triumfi i Ushtrisë sovjetike, thotë ai, fsheh në vetvete sa madhështi aq edhe horror, sepse fitorja e popullit rus doli të jetë triumf i Stalinit dhe i regjimit të tij imperial.”
Nëpër faqet e këtij romani të madh në të gjitha kuptimet, V. Grosman përpunon një lloj teorie filozofike e sociale rreth shumëfytyrësisë së fashizmit botëror. Dhe në origjinë të tij ai vendos Revolucionin e Tetorit. Sipas tij, udhëheqësit e Revolucionit rus, mbase deshën t’i bëjnë mirë njerëzimit, por realisht ata sollën në fuqi Të Keqen, një të keqe të paparë ndonjëherë, të padëgjuar, apokaliptike, në shkallë universi.
Romani u cilësua i humbur përfundimisht, por në vitet ’70 do të jetë Semion Lipkin, poet dhe mik i Vasili Grosman-it ai që do të gjejë dorëshkrimin. Fillimisht do të botohet në Zvicër më 1980.
Vetëm më 2013 FSB-ja, pasardhësja e KGB-së, nxori dorëshkrimin nga arkivat e saj dhe ia dorëzoi Ministrisë Ruse të Kulturës.
(Mjaft më shumë deteje për romanin e V.Grossman do të gjeni te Peizazhe të fjalës)