Në një reagim zyrtar, Presidenca ka sqaruar qëndrimin e saj, duke theksuar se, në shqyrtimin e vakancës në Tiranë, Presidenti ka verifikuar rregullshmërinë procedurale të ndjekur nga Këshilli Bashkiak i Tiranës dhe Këshilli i Ministrave, si dhe ka respektuar neutralitetin institucional, pa hyrë në meritën e çështjes.
Sipas sqarimit të Presidencës:
“Këshilli i Ministrave ka referuar tek kuadri ligjor, i cili përcakton se shkarkimi për ‘mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë’ përbën rast të ndryshëm nga shkarkimi ‘për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve’ që parashikon neni 115 i Kushtetutës.”
Kjo nënkupton se vendimi i qeverisë përmes VKM nr. 539, datë 25.09.2025, nuk bie në juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese, por në atë të gjykatës administrative.
Ndryshe nga rastet e parashikuara në nenin 115 të Kushtetutës, ku një ankim pezullon automatikisht vendimin e shkarkimit, në rastet e tjera – si ai i Veliajt – pezullimi i vendimit ndodh vetëm me urdhër të posaçëm të gjykatës administrative.
Presidenca shton se, deri në momentin e dekretimit të zgjedhjeve, nuk është regjistruar ndonjë ankimim pranë organeve kompetente gjyqësore dhe nuk ka një vendim pezullimi nga ana e tyre. Për rrjedhojë, Presidenti ka vepruar brenda afatit ligjor prej 48 orësh nga marrja e njoftimit për shpalljen e zgjedhjeve.
Krahas Tiranës, zgjedhjet e pjesshme më 9 nëntor do të mbahen edhe në bashkitë: Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik.
Në fund të deklaratës, Presidenti Begaj ka bërë thirrje për një fushatë konkurruese dhe etike, në respekt të Kodit Zgjedhor, si dhe ka shprehur dëshirën që qytetarët të përfshihen gjerësisht dhe të marrin pjesë masivisht në procesin e votimit.