Kujtesa krijuese e shkrimtarit Ridvan Dibra| shënime nga Virion Graçi

spot_img
Advertisements

Virion Graçi

I.
Në vështrime të mëherëshme për romanin bashkëkohor shqiptar e kemi parë krijmtarinë e Ridvan Dibrës të vendosur në dy mishërime kryesore: vetëdija krijuese si vetëdije ekzistenciale, dhe autori problematik në vend të personazhit problematik. Në vetvete, këto dy mishërime madhore mund të jenë, në masë të ndryshme, të pranishme në qenien dhe veprimtarinë shkrimore të çdo njeriu që merret me letërsi artistike, te R. Dibra janë brendi e shprehur qartë, brendi e bërë përjashtësi, vision narrativ dhe meta-narrativ, në kuptimin e ngritjes së tyre në fabul romanore, në tematikë shkrimi fiksional e memorativ. Perceptimi i veprës së deritashme të R. Dibrës, pasi është në vorbull të punës krijuese, të çon te ekspersionizmi, lëvizja moderniste e fillim shekullit XX, shfaqur së pari në poezi e pikture, përqafuar mandej ndër lëmej të tjerë të krijimtarisë artistike, ku bëhet normë paraqitja e botës nga perspektiva subjektive, duke e modifikuar atë radiklisht sipas përjetimeve emocionale, duke synuar evokimin e gjendjeve vetjake dhe të ideve.
Po kaq sa ekspresionizmin, në origjinë, në ngjizjen e lëndës letrare të R. Dibrës gjejmë hiper-realizmin; hiper-realizmi, me origjinë nga piktura dhe skulptura, i ngjashëm me fotografinë me rezolucion të lartë, zgjatim në kohë e cilësi i foto-realizmit, sikurse ka gjetur zbatime në kinematografi e arte të tjera, është tipar e mjet pune i R. Dibrës: në prozën e shkurtër, por dhe në rrëfimet e gjata, ndërsa anashkalon nga fabula e tij ngjarje e personazhe me përmasa e premtime epike, ai nuk kursehet në hollësi, sqarime, nënvizime të gjërave pa rëndësi, në pamje të parë. Ekpresionizmi dhe hiper-realizmi te ai, nuk mund të bëjnë pa njëri-tjetrin. Kur e fokuson optikën narrative në kufijtë e përvetshëm të egos, e kjo ndodh shpesh duke na dhënë një sërë “portretesh”/romanesh autobiografikë, i vjen e nevojshme tharja e ndodhisë, ndërprerja e rrjedhës së ngjarjeve ose diskursit dekorativ, bëhet kalimi në përkufizime kuazi-teorike, në degëzime informative të përimtësuara, jo të natyrës fiksionale. Autori-narrator arrin ta shkurtojë rreshtin e shkrimit, ta organizojnë tekstin informativ prozaik në formë strofe poetike, si poezinë në varg të lirë. Provë e fortë ekspresioniste edhe kjo, krahas shenjave të tjera në tekst. Ai do të rrëfejë atë që është e rëndësishme për të; ai do ta pengojë prirjen organike të lexuesit për bashkautorësi, ja përcakton ai lexuesit çfarë nuk duhet të shohë, çfarë nuk duhet të presë prej autorit. Shembujt janë me dhjetra, nga çdo roman. Mardhënien e shkrimtarit me veprën e tij, raportin e autorit me personazhet e tij dhe anasjelltas, raportet, ndervarësitë e të vërtetave objektive që ja ruan kujtesa – me ato fiksionale, që ja ripordhon fuqishëm imagjinata, kujtesa krijuese prej romancieri – këto përbëjnë kornizën tematike dhe konfliktet e një pas njëshme në veprën e tij, në tërësi. Një roman si “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë”, p.sh., i pritshëm si riaktualizim i thagmave biblike apo si atakim në prerje të reja kohore i parabolave përkatëse, përfundon si një pikturë ekspresioniste, ku, në një kënd të vogël, djathtas, poshtë, që në roman konvertohet në pak faqe nga fundi, kemi një portret të shkrimtarit, të Ridvan Dibrës, i vizatuar nga personazhet e tij, sikurse është dhe i përndjekur, i përgjëruar ose në borxh pamundësie ndaj krijesave të tij, personazhet letrarë.
Shembull tjetër: Një roman jo autobiografik, sikurse është “Legjenda e vetmisë”, bëhet përsëri histori e autorit-narrator R. Dibra se sa është histori e Balës, protagonistit, nëpërmjet përjetimit e shprehjes ekspresioniste, nëpërmjet organizimit pamor të lëndës. Afër i gjendet Balës autori-rrëfimtar, të tashme e ka kohën e rrëfimit dhe hollësitë e rrëfimit, lexuesi, përkundër mundësisë për tu bërë bashkautor në veprën e pa hapur, koncepti i Umberto Ecco-s, bëhet personazh.
F.83:
Bala ka një takim sot.
Të lënë qysh dje.
Kuptohet, me Martën.
F.33: Bala mbete prapë vetëm.
Se Pushimi i Madh është vetëm njëzetë minuta.
Që kalojnë si të ishin njëzetë sekonda.
F.15: Bala është rrekur ta thyejë vetminë.
Siç thyhet, ta zëmë, një kambanë qelqi.
Ku të kanë future pa dashjen tënde.
F.34:
Bala nis e mbyllet në vete.
Si bisha në strofull.
A si iriqi brenda gëzofit të vet.

F.35:
E ka bindur veten se po të kthehet në shkollë, gjithçka do të përsëritet:
Sharjet,
Fyerjet,
Të qeshurat,
Talljet…
Bile dhe dënesat e shoqes së bankës.
F.110, ku dhe përfundon romani “Balada e vetmisë”:
Bala tash është qorr.
Por ani: të verbër shokët e pranojnë.
Edhe ai nuk ndihet i vetmuar si dikur.
Secila nga 30 njësitë e rrëfimit që ka ky roman, nis, vazhdon me organizime të tilla lënde dhe përfundon po kështu: episode të poetizuara, çdo fjalë një rresht, çdo fjalë një mendim, çdo fjalë një veprim që i kalon mundësitë semantike të fjalës si e tillë, si në prozën e zakonshme. Vertikalizimi i lëndës shoqërohet me shtresëzim të rrëfimit nëpërmjet formave gramatikore: fjala e përgjithëshme shënohet/paraqitet si fjalë e përvetëshme, njëra nga fjalët ose njëri nga togfjalëshat shkruhet me gërma italike; shto rrezatimin kuptimor-simbolik të epigrafëve, shto fjalën -fjali, shto fjalën në italike ose togfjalëshin në italike, shto shto ndërhyrjet jo fiksionale të autorit-narrator që e vendos në sprovë mohimi rozafatin e tij, projektin narrative romanor, bëhen rreth 7-8 deri në 9 nivele të shprehjes, të narrativës, të diskursit, të provokimit meditative-estetik e të perceptimit të romaneve të tij, jo voluminozë prej faqeve, por vërshues për nga asosiacionet që zgjon, për nga aludimet e sugjerimet, për nga ndjesitë, historitë/ndodhitë epike të nënkuptuara. Sa thamë, nuk bien ndesh, besojmë me interpretime të mëherëshme të studiuesëve të R. Dibrës, si A. Ferlushka, A. Apolloni, etj., që kanë hetuar poetikën post-moderniste ose ndërtekstorësinë te ky autor i guximshëm e i realizuar me sukses.
II.
Krijimtaria e R. Dibrës, me shtrirje kohore gati 40 vjeçare, ka vijuar të pasurohet me tituj të rinj, me gjetje të reja; ajo pasurohet tematikisht duke ruajtur fizioniminë dhe karaketeristika të mëherëshme që do të thotë, autori ka qenë i mirëpërcaktuar, dmth., talent i lindur; veçuam disa nga librat e tij, bëmë disa ndalesa në libra ky bie më shumë në sy sipërmarrja rinovuese e tij, vendosmëria për të goditur forma të konsumuara narrative dhe bastione të ndenjura të traditës sonë letrare, nga njëra anë si dhe përkorja, maturimi, harmonizimi i mjeteve shprehëse me gjendjen, zbulesat, përmbajtjet jetësore. Në këto të dytat mund të veçoja romanet Nudo, Legjenda e vetmisë, Gjumi në borë, Gruaja që deshe, si pikat më të larta të peizazhit të tij të deritashëm letrar.
Si lexues jemi në pritje, edhe si studiues, besoj.

spot_img

Latest articles

Related articles