Nga Reldar Dedaj
Shqipëria, prej kohësh, nuk na përngjan me atë portë që dikush mendon se e ka lexuar te Parajsa e Dante Alighierit, ku hyhet pa kthim. Përkundrazi, ajo është një portë që nuk e mbyll dot me këmbë, por je i shtrënguar ta lësh hapur për të tjerë, në një rast fatlum, dhe ta gjesh hapur kur të dalësh në kthim. Nga do që të shkosh në Shqipëri, do vësh re se ndihesh i shtypur nga mungesa e plotë e jetës, ritmit, fëmijëve, të ardhmes. Shqipëria as nuk ëndërron më. Edhe ëndrra ka vdekur, hapësira e vetme e lirisë. Duket se gjithçka ka shterruar dhe po shkon, dalëngadalë, drejt shkatërrimit. Çfarëdo që të bëjmë, çfarëdo mase që të marrim, nuk do t’i bindim shqiptarët të besojnë. Fatkeqësia e tyre sot është se nuk mund të besojnë dhe as t’u japin jetë gjërave. Nuk duan të besojnë nga frika se mos bëhen qesharakë.
Nuk mendojmë se do të zgjidhnin sot këtë klasë qeverisëse, nëse gjatë këtyre dymbëdhjetë viteve nuk do të ishin të mërzitur, të trembur dhe të vjedhur. Është frika nga gjërat e përsëritura: e njëjta gjë, e njëjta filozofi, e njëjta sjellje, të njëjtat fjalë. Është një lodhje me ta, nga boshllëku i të kuptuarit, nga gjithçka që ata përfaqësojnë. Ndërsa banalitetet e tyre mbijnë mbi sipërfaqe çdo herë e më tepër, ata vazhdojnë e dëgjojnë, shohin entuziazmin e rremë që fytyrat e qeveritarëve përçojnë dhe ndjejnë mbi mish nguljen e thonjve të hipokrizisë së tyre. Shqiptarët mund të jenë të gatshëm të bëjnë përsëri një zgjedhje tjetër, por pa madhështinë, pa forcën dhe pa jehonën që duhej. Fuqia e tyre është dobësuar, besimi është tretur, dhe e ardhmja u duket akoma më e zbehtë se më parë.
Në këtë tokë burrash e burrneshash, aty ku pushka kërcet për një të parë, aty ku njerëzit e famshëm dhe të zotët janë ata të hurit dhe të litarit, aty ku kultura është shterpëzim, aty ku letërsia kombëtare vazhdon të mburret me figurat e saj monumentale, aty ku heronjtë vlerësohen për vdekjen dhe kurrë për jetën, aty ku themi se ka demokraci më tepër se diktaturë, aty ku flitet për gjithçka dhe kurrë për gjërat e mëdha, ka qenë përherë e vështirë, nëse jo edhe sot, të mbash në lojë revoltën qytetare.
Pamja bëhet akoma më e trishtuar kur dhjetra njerëz mbijnë çdo ditë përpara selisë së qeverisë dhe, me durimin tipik shqiptar, ende mendojnë se kreu i vendit mund t’i shpëtojë. Çuditërisht, mbetet ende një çështje e hapur nëse Ai do të jetë personi që do të përmirësojë jetesën e shqiptarëve. Bazuar në fakte dhe në kohë, pasi janë mbushur plot 12 vite, asgjë nuk do të ndryshojë. Për t’i hedhur akoma më shumë helm gjendjes, referuar të dhënave, vetëm 1% e shoqërisë shqiptare kontrollon sot tokën më të shtrenjtë, tenderat më të mëdhenj dhe investimet më fitimprurëse, ndërsa 99% e shqiptarëve shohin çdo vit se si shpresa e tyre shitet nën dorë.
Kur një vend pëson disfatë, shpik ose ekzagjeron ndonjë “episod të lavdishëm” për t’i hedhur hije humbjes së vërtetë. Në Shqipëri, këto episode nuk janë thjesht histori; janë projekte që gjuajnë një petk lavdie mbi dështimet e qeverisë. Inceneratorët, portet e dhuruara investitorëve, hapësirat e qytetit që shndërrohen në kulla, çdo veprim duket triumf, por pas tij fshihet grabitja e fondeve dhe shkatërrimi i të ardhmes së shumicës. Çdo lavdi e shpallur është një maskë mbi paaftësinë, mbi injorancën e strukturave që duhet t’i shërbejnë qytetarit, por që sot janë plotësisht në shërbim të pakicës.
Kjo është mënyra që disfatat e vërteta zhvendosin vëmendjen: duke bërë të dukshme sukseset e sajuara, duke fshehur katastrofën e përditshme. Qytetari ecën mbi rrugë të shkatërruara, sheh shkolla të braktisura, spitalet bosh dhe e kupton se çdo lavdi është vetëm hije mbi varfërinë. Por përgjegjësia nuk zhduket; ajo qëndron mbi ata që premtuan, mbi ata që vranë shpresën dhe e kthyen shtetin në pronë private. Në heshtjen e qyteteve, në fytyrat e qytetarëve të lodhur, Shqipëria ruan kujtesën e kësaj tradhtie të heshtur. Dhe çdo episod i lavdishëm, çdo projekt i shfaqur me pompozitet, është vetëm një maskë që nuk mund të fsheh më dështimin e përhershëm.
Nisur nga ky fakt, nuk mendojmë se Shqipëria ka qeverisjen që meriton. Edhe pse politikanët nuk bien nga qielli dhe nuk i sjell as fati as ndonjë dorë e fshehtë, ata dalin nga vetë shoqëria që i prodhon. Por barku që i prodhon ata në vendin tonë nuk është shoqëria shqiptare dhe as qytetari i saj; përkundrazi, është e kundërta: krimi i organizuar, korrupsioni, trafiqet dhe propaganda, dhe sigurisht, për të mos harruar, edhe disa intelektualë apo njerëz të ditur të këtij vendi, të cilët, edhe pse me doza të vogla, ia kanë dhënë një dorë kësaj krijese.
Për këtë arsye, “heronjtë” shfaqen gjithmonë në ushtritë e shpartalluara. Ata që fitojnë nuk kanë nevojë për ta.