SPAK ka reaguar zyrtarisht pas operacionit të një dite më parë që çoi në arrestimin e disa personave të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të kokainës.
Sipas hetimeve, grupi kriminal kishte krijuar një rrjet të sofistikuar për të transportuar lëndën narkotike nga Kolumbia dhe Ekuadori, përmes kontejnerëve, në portet e Belgjikës, Holandës, Italisë dhe Spanjës, si dhe përmes rrugëve tokësore në drejtim të Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Altin Dumani dhe Adnan Xholi, dy prokurorët e çështjes, thanë se bëhet fjalë për një strukturë të organizuar me shtrirje në disa kontinente dhe me të paktën 16 anëtarë të identifikuar deri tani.
Sipas tyre, ky rast tregon për nivelin e lartë të organizimit që kanë arritur grupet kriminale shqiptare, të cilat tashmë operojnë edhe në tregjet ndërkombëtare të drogës.