“Manastiri resort”, projekti që po vë në zbatim ngritjen e një fshati turistik në Butrint do të zgjerohet edhe me 50 apartamente të tjera. Kompania thotë se ky zgjerim është i bazuar në ligj, por deputetja Ina Zhupa e cilëson shkelje dhe sipas saj shpërblim që Rama u bën oligarkëve.
Një nga vendimet më të dyshimta të qeverisë Rama në fushën e mjedisit është ai për ndërtimin e “Resort Manastirit” brenda Parkut të Butrintit, një zonë e mbrojtur me rëndësi të jashtëzakonshme ekologjike dhe kulturore. Në qendër të këtij skandali qëndron ministrja Mirela Kumbaro, e cila në vitin 2021 firmosi me një lehtësi të çuditshme një vendim për heqjen e një pjese të Gjirit të Manastirit nga statusi i mbrojtur.
Kumbaro, në një interpelancë në Kuvend, u përpoq ta minimizonte vendimin, duke e quajtur thjesht një “pikë të vogël”.





