Deputeti i Partisë Demokratike Lulzim Basha përmes një komunikimi publik ka shprehur ngushëllimet e tij për ikjen nga kjo botë e Ish kryeministrit të Kosovës z. Bujar Bukoshi.
Basha: Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Dr. Bujar Bukoshit, kryeministrit të parë të Republikës së Kosovës, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e themelimit të pavarësisë së Kosovës dhe në zemrat e shumë njerëzve.
Kam pasur privilegjin ta njoh fare i ri, dhe të bashkëpunoj me të për një qëllim të përbashkët — sjelljen e studentëve nga Shqipëria dhe Kosova për studime në Holandë. Ai ishte gjithmonë i përkushtuar dhe me një vizion të qartë për të investuar te rinia si shpresa për të ndërtuar një të ardhme europiane për kombin shqiptar.
Dr. Bukoshi ishte më shumë se një politikan dhe mjek; ai ishte një urë lidhëse midis njerëzve, një udhëheqës i palodhur në kohët më të vështira dhe një burim frymëzimi për ne të gjithë. Kosova humbi sot një prej bijve të saj më të devotshëm, ndërsa unë humba një mik të vyer.
Trashëgimia e tij do të vazhdojë të udhëheqë dhe të frymëzojë brezat e ardhshëm. Ngushëllimet më të sinqerta familjes Bukoshi, bashkëshortes Zana, vajzave Ora, Shota dhe Nita, dhe gjithë atyre që e njohën e e deshën.
I paharruar kujtimi i tij. U prehtë në paqe!