Ilir Alimehmeti, kandidat nga lista e hapur e Partisë Demokratike në zgjedhjet e fundit parlamentare, deklaroi sot se Kodi Zgjedhor aktual duhet hedhur në plehra, duke e konsideruar atë të dështuar dhe të papërshtatshëm për një garë të ndershme.
I ftuar në programin e drekës në News24, Alimehmeti komentoi vendimin për rinumërimin e votave në Tiranë, të cilin e cilësoi si një precedent pozitiv për procesin zgjedhor në vend.
“Ende nuk dimë të numërojmë votat. Rinumërimi do të ndodhë. Tani janë një sërë procedurash që duhet të na bëhen me dije. Është precedent pozitiv. Ngel në klasë njëherë dhe hyn sërish në test dhe shpresojmë që KQZ të marrë një notë pozitive”, u shpreh ai.
Alimehmeti nënvizoi gjithashtu se është thelbësore që të ketë transparencë maksimale në mënyrën se si organizohen dhe zhvillohen zgjedhjet në Shqipëri. Sipas tij, ky është një borxh moral dhe qytetar ndaj brezave të ardhshëm.
“Fëmijëve tanë duhet t’ju lëmë trashëgimi zgjedhje të lira dhe të ndershme“, tha ai, duke shtuar se ish-kryeministri Sali Berisha e ka mbështetur në përpjekjet e tij për transparencë zgjedhore.
Duke u ndalur te aspektet problematike të sistemit aktual, Alimehmeti kritikoi mënyrën si është ndërtuar gara zgjedhore në Kodin Zgjedhor: “Ky Kod Zgjedhor duhet hedhur në plehra. Gara duhet të jetë mes partive, jo kandidatëve të së njëjtës parti politike“, u shpreh ai.