Gazetarja Anila Hoxha ishte e ftuar këtë mbrëmje në emisionin “Top Story” ku tema e diskutimit ishte “Gazetarët përballë plumbave”, referuar vështirësive të gazetarëve gjatë raportimit të lajmeve dhe ‘lufta’ me të cilën ata përballen në përditshmërinë e tyre.
Gazetarja e Top Channel, e cila është pjesë e këtij profesioni mbi 26 vite, ka treguar se gazetarët përballen shpesh me kërcënime, që vijnë në forma të ndryshme.
Ajo ka treguar edhe një episod ku bashkë me kameramanin, janë kërcënuar me armë zjarri.
“Çdo çështje ka dinamikën e vet… në ‘99 ishte shumë e vështirë sepse nuk kishte telefona, nuk vraponte informacioni siç shpërndahet tani. Ishin më të vështira për të siguruar informacion.
Kur raportoja për Gjykatën, po filmonim me operatorin Eurgert Hoxhaj në Elbasan. Shoferi na la larg nga vendi ku do filmonin në tregun agroushqimor, erdhën disa njerëz që na treguan dhe armët dhe na thanë që të fshinim filmin, të dy e menaxhuam me qetësi, patjetër që u trembëm. E falënderoj operatorin se nuk më la vetëm.
Kërcënimet më të rënda që i bëhen gazetarëve sot, lidhet me familjen. vazhdimisht shkruaja për policinë, dhe mesazhet i shkonin familjes time. Për shembull sapo erdhi kjo maxhorancë, një nga njerëzit që është hequr nga puna ishte motra ime. Për shumë gazetarë, forma e parë e presionit është kjo. Të krijosh destabilitet tek njerëzit e afërt”, tha Anila