Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ishte i ftuar këtë të enjte në “Studio Live” në Report Tv, ku foli për një spektër të gjerë nismash në fushën e mbrojtjes në vendin tonë dhe arenën ndërkombëtare.
Vendimin e djeshëm të qeverisë për kthimin e rezervistëve në forcë aktive, Vengu e cilësoi të domosdoshme në kuadër të rienergjizimit të ushtrisë shqiptare, por edhe të mirëpritur nga ushtarakët e tërhequr.
“Miratuam dje në qeveri një vendim për të kthyer rezervistët në forcë aktive, janë një grup ushtarakësh që kanë shërbyer për shumë vite të jetës së tyre ushtarake, të familjarë të tërhequr, por ligji i parashikon.Çështja e vërtetë, vitin e fundit kemi pasur kërkesa të shumta që këta rezervistë të kthehen në Forcat Armatosura, janë profesionistë në fusha të ndryshme, në armatim, logjistikë, mbrojtje kibernetike. Kemi që nga muaji janar ku filluam të punonim aktin, kemi marrë 220 kërkesa për kthimin në forcat aktive. Zakonisht çdo vit ne bëjmë tre sesione rekrutimesh. Në 2 sesionet që kemi bërë në 2025 kemi 270 rekrutë të rinj, rritje me 70% në krahasim me vitin e kaluar. Kemi një rënie drastike të largimit nga Forcat e Armatosura. Në krahasim me vitin e kaluar kemi -64% ulje të të larguarve”,- tha Vengu ndër të tjera.
Nisma e qeverisë shqiptare për rivitalizimin e industrisë ushtarake në vendin tonë është pritur me interes nga kompani serioze ndërkombëtare, me vendndodhje në SHBA dhe jo vetëm.
“Në 300 ditë që nga miratimi i ligjit kanë ndodhur shumë gjëra, janë ngritur 2 institucione, KAYO dhe Agjencia e Mbrojtjes që licenson dhe rregullon veprimtarinë e prodhimit ushtarak. Kemi marrë 25 shprehje interesi nga konsorciume ndërkombëtare, që nga SHBA, vende anëtare të NATO-s. Nga këto 25 shprehje interesi jemi duke vepruar me 6 negociata, për sistemin e artilerisë së rëndë, armatimit të lehtë, prodhimit të municioneve, prodhimin e mjeteve të blinduara dhe dje miratuam gjithashtu në qeveri edhe negociatën edhe për prodhimin e uniformave dhe pajisjeve konvencionale”,- tha Vengu.
Ministri i Mbrojtjes tha se në javët në vijim do të bëhen publike diskutimet aktuale me SHBA-të në kuadër të një partneriteti strategjik të thelluar, në disa fusha e veçanërisht në kibernetikë.
“Kemi një seri programesh të bazuar në bashkëpunim dypalësh, me SHBA, partneritet strategjik i thelluar, një bashkëpunim i shkëlqyer në rrafshin kibernetik me SHBA, javët në vijim do jenë disa elementë publik në këtë aspekt. Elementi i dytë ka të bëjë me raketat Javelin, nga pala amerikane, një investim dyfish ky”,-tha Vengu.
Ai njoftoi se ushtria shqiptare së shpejti do të pasurohet dhe me 2 avionë, të cilët do jenë edhe për përdorim ushtarak. Gjithashtu, ai kujtoi marrëveshjen e firmosur mes kompanisë ushtarake shtetërore të Shqipërisë, KAYO, dhe kompanisë izraelite elitare në fushën e mbrojtjes, Elbit Systems Ltd., për themelimin e Akademisë e Aviacionit.
“Ne jemi duke finalizuar procesin për blerjen e 2 avionëve, avionë për përdorim të dyfishtë, civil-ushtarak, përdorim parësor për shuarjen e zjarreve”,- tha Vengu.
Për rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen në 5% të buxhetit, kërkesë kjo e Administratës Trump, Vengu tha se Shqipëria po punon për arritjen e këtij objektivi në një periudhë 10-vjeçare.
‘Në përgatitjet për samitin e NATO-s në Hagë, padyshim që tema kryesore do jetë rritja e buxheteve në atë ambicie të artikuluar nga Presidenti Trump, në një periudhë 10-vjeçare, 5%. Shqipëria është angazhuar padiskutim që do t’i bashkohet këtij qëllimi që në këtë 10-vjeçar ta zbatojmë. Ajo që është e rëndësishme që qytetarët të kuptojnë është se qëndrimi i Shqipërisë është se këto para mos të jenë këto të dedikuara vetëm për blerjen e armatimit, do synojmë që këto para të gjenerojnë edhe prodhim ekonomik në vendin tonë, prodhim, sa herë të investohet në infrastrukturë ushtarake, të jetë dhe për përdorim civil”,- tha Vengu.