Bandat e Elbasanit dhe tregu i k0kainës, dëshmon Alibej: Si nisi përplasja me Çopjat, Suel Çela vodhi 2 kg…

spot_img
Advertisements

Në Apelin e GJKKO u zhvillua këtë të enjte seanca e radhës për dosjen e njohur si “Plumbi i artë”. Para togave të zeza dëshmoi në këtë seancë të radhës bashkëpunëtori i drejtësisë, Erion Alibej.

  • Advertisement –
    Alibej akuzohet si kreu i një organizate kriminale në Elbasan, porositës i disa atentateve me pagesë për hakmarrje dhe për motive që lidhen me trafikun e kokainës.

Në dëshminë e tij, Alibej rrëfeu të kaluarën familjare, aktivitetet kriminale të vëllait dhe përplasjet me eksponentë të njohur të botës së krimit, përfshirë vëllezërit Çopja dhe Suel Çelën, me të cilët dikur kishte marrëdhënie miqësore.

Ai akuzon vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja për përfshirje në vrasjen e vëllait të tij, Endrit Alibej, në atë që njihet si “masakra e Bradasheshit”, ku mbetën të vrarë edhe Arben Dylgjeri dhe shtetasi turk, Erdal Durunay.

“Vij nga një familje ku babi na la të vegjël pasi vdiq. Jemi familje e respektuar në qytet. Ishte vëllai që emigroi i pari në Greqi, pastaj në Itali, nga 2006 deri në 2018 është marrë me punë të paligjshme, trafik droge. Unë s’u përziva, u kujdesa për familjen, se kisha nënën e sëmurë. Endriti është marrë vetëm me drogë. Në 2009 shkoi në Hollandë, vëllai im ishte 2 vjet më i madh se unë,” tregoi Alibej.

Duke vijuar dëshminë e tij, ai sqaroi se si u përfshi në hetime në Itali dhe si nisi lidhjet me figurat e krimit shqiptar në Evropë: “Në 2010 shkova në Itali për të marrë ilaçe për dy javë. Endritin e kërkonte Italia gjatë kësaj kohe. Ditën e fundit që do të kthehesha më arrestoi policia dhe u dënova 3 vjet e 4 muaj sikur isha pjesëtar i grupit, megjithëse s’kisha lidhje. Pasi u lirova në 2012, Endriti ishte sërish në Hollandë dhe më dërgoi një vajzë që më mori. Shkova në Rotterdam, e gjeta me Hajdar Çopjen. Njohje e hershme. Më tha se Endriti donte ta ndihmonte, se s’kishte ku të rrinte në Hollandë sa të gjente një shtëpi.”

Më pas ai përshkruan me detaje lidhjet me Suel Çelën dhe përplasjet e mëvonshme që sipas tij agravuan në konflikt të hapur mes grupeve kriminale.

“Endriti kishte shumë lidhje edhe në shtetin hollandez. Të gjithë donin të punonin me të. Kishte bazë edhe në Angli. Unë kisha shumë kohë pa folur e pa takuar Suel Çelën për shkak të një hatërmbetjeje që kishte lidhje me Arjan Spahiun dhe trafikun e drogës. Një ditë më tha Endriti se do vinte në shtëpi Sueli me Sokol Sanxhaktarin. Nuk doja t’i takoja. Sueli e nisi herët trafikun në Itali ku dhe u arrestua. Në Itali, Sueli i vodhi Hajdar Çopjes 2 kg kokainë. Sueli shoqërohej me Klodian Çopjen, kushëri i dytë i Hajdarit,” tha Alibej.

Në vijim, Alibej rrëfen përfshirjen e tij në trafikun e drogës në Angli dhe lidhjet me vëllezërit Çopja.

“Këmbëngula të ikja në Angli për të punuar sepse Endriti kishte borxhe dhe doja ta ndihmoja t’i shlyente. Shkova me kamion. Në fillim qëndrova te xhaxhai, Arben Dylgjeri. Punoja me shumë shqiptarë atje, i pari që bashkëpunova ishte një Ylli nga Rrogozhina dhe Klodi nga Durrësi. Më vonë erdhi një Ilir Lloshi që bënte organizimin për Hajdar dhe Franc Çopjen. Ai më tha se Franc Çopjes i kishte ndodhur një problem me një ngarkesë që u kap. Bëra dokumente false greke me emrin Kristadhio, më ndihmuan Çopjat,” tha Alibej.

Por marrëdhëniet me grupin Çopja u përkeqësuan. Alibej përmend episode dhune dhe incidente që nisën për humbjen e një sasie prej 50 kg kokainë.

“Pas një kohe, Ilir Lloshi më dërgoi një foto. Ishte me sy të nxirë. Më tha se Franci kishte një ortak anglez dhe një ngarkesë prej mbi 50 kg ishte grabitur. E mora në shtëpi për dy javë. Më tregoi se në shtëpinë ku mbahej droga kishin lidhur një djalë nga Elbasani dhe kishin marrë çfarë kishin gjetur. Në qytet filluan intrigat, fjalët sikur Sueli kishte shtyrë dikë të plagoste dajën tim. Sueli gjithmonë është marrë me aktivitete kriminale. Kishin përplasje me grupin Çapja,” vijoi Alibej.

Përplasjet e brendshme mes grupeve arritën kulmin me një përballje në lokalin e dajës së Alibejt në Elbasan:“Pasi erdha në Shqipëri, ishim te lokali i dajës. Kaluan me Range Rover Sueli, i ati i tij dhe Sokol Sanxhaktari. Sueli hapi xhamin dhe i tha Endritit: ‘Hajde pak tek tregu’. I thashë Suelit: ‘S’ke turp që drejton gishtin?’. Doli Sokol Sanxhaktari dhe më tha: ‘O Erion, çfarë po flet?’… Ishte koha kur ky merrte njerëz e i dhunonte te tregu. Më vonë shkuam te shtëpia e Suelit. Ishte dhe e ëma e tij aty. Pasi u ulëm, Sueli i tha Endritit: ‘Na ka ndodhur një problem me rrugën për një ngarkesë dhe na e kanë bërë disa rumunë që janë të Hajdar Çopjes’. Endriti qeshi ironikisht dhe i tha: ‘S’kam lidhje me këtë punë’. Ndërhyri Sokol Sanxhaktari dhe i tha Suelit: ‘Ha e dak, a të thashë që ata quksat për Çopjat janë?’.”

Në fund të dëshmisë, Alibej tregoi edhe për një takim të veçantë me nënën e Suel Çelës, Hanën, për të treguar dhe marrëdhëniet miqësore që ata kanë pasur.

“Shkova e takova të ëmën e Suelit, Hanën. U përlot, më përqafoi. Se kisha shkuar ndonjëherë në shtëpi që nga koha kur Sueli ishte në burg në Itali,” tah Alibej.

spot_img

Latest articles

Related articles