Drejtori i ri sportiv i Milanit, Igli Tare ka folur për herë të parë për mediat zyrtare të klubit, duke ndarë emocionet, objektivat dhe vizionin e tij për të ardhmen kuqezi. Ai u shpreh se kjo është një nga ditët më të rëndësishme të karrierës së tij, duke e cilësuar angazhimin te Milani si përmbushjen e një ëndrre që e ka ndjekur që nga fëmijëria.
“Milani ka një histori të lavdishme. E kam ndjekur që kur isha fëmijë. Familja ime, të gjithë xhaxhallarët ishin tifozë të Milanit, dhe kjo lidhje ka qenë gjithmonë e fortë.
Tani që jam këtu, është diçka shumë domethënëse për mua. Do të përpiqem të jap gjithçka që kjo histori të shkëlqejë sërish. Tifozët presin një reagim të fortë dhe kjo është ajo që duam të ofrojmë.
Erdha me ide të qarta dhe shumë entuziazëm. Duhet të mësojmë nga gabimet dhe të fillojmë me energji të re. Milani kërkon rezultate të menjëhershme, është një klub që duhet të fitojë.
Lojtarët duhet ta kuptojnë peshën që ka fanella e Milanit. Stadiumi San Siro dhe historia e klubit janë të shenjta. Kjo është një nga gjërat që dua të transmetoj menjëherë te skuadra.
Dua të shoh një Milan që djersitet për fanellën, që është i uritur për fitore. Do të jap gjithçka për ta bërë këtë realitet. Ndihem i emocionuar dhe i përmbushur, kam realizuar një ëndërr të vjetër” tha ai