Pas përplasjes së mbrëmshme me Kryeministrin Edi Rama në studion e emisionit “Opinion”, gazetarja Fatjona Mejdini ka reaguar publikisht duke denoncuar qasjen e kryeministrit ndaj gazetarëve si një sjellje të përsëritur dhe të mirëkalkuluar për të shmangur përgjegjësitë që lidhen me dështimet e qeverisjes së tij.
Në një reagim të drejtpërdrejtë, Mejdini thekson se gjatë pesë viteve të fundit ka pasur disa përballje me kryeministrin në të njëjtin emision, dhe se në të gjitha rastet, sjellja e tij ka qenë e njëjtë: “intimidim, bullizëm, gjuhë rruge dhe shmangie nga përgjegjësia”. Sipas saj, mbrëmja e fundit shënoi kulmin e kësaj qasjeje.
“Refuzoi të përgjigjej në çdo pyetje, na etiketoi si të painformuar, të paaftë për të bërë pyetje dhe madje vuri në pikëpyetje të drejtën tonë për të qenë në atë studio”, shkruan gazetarja, duke e cilësuar këtë jo si reagim të çastit, por si një strategji të ndërtuar mbi një qeverisje me bilanc të dështuar.
Pjesë e kritikave të saj është edhe çështja e inceneratorëve, të cilën ajo e cilëson si një nga aferat më të mëdha korruptive të kësaj qeverie. Mejdini rikujton një premtim të bërë nga Kryeministri në tetor të vitit 2020, kur ai i kishte thënë publikisht se do ta ftonte në përurimin e inceneratorit të Fierit në dhjetor të atij viti – një përurim që nuk ndodhi kurrë.