Pyetje 1: U kthyet nga SHBA ku jetonit mirë për të kandiduar për deputet në Qarkun Lezhë. Pse latë rehatinë amerikane për të ardhur në zhurmën e rrëmujën shqiptare?
Përgjigje: Mund ta fillonit pyetjen me “Pse ikët nga Shqipëria”, por duket që edhe tek ju, është normalitet të ikim nga ky vend, dhe përbën habi të kthehemi sërish…
Çdo njeri ka tre anë të pasurisë së vet: shpirtërore, morale dhe materiale. Vetëm harmonia e të tre këtyre pjesëve na bën të lumtur. Sa për dy të parat, Shqipërinë nuk do e ndërroja me asnjë vend të botës. Por, kur vendosa të largohem nga Shqipëria, ana materiale tek unë, stononte me dy të parat dhe nuk e “plotësonte” tërësinë e asaj që thamë: pasurisë së vërtetë. Shkova në vendin e mundësive të mëdha dhe arrita të kem biznesin tim, e ta afroj edhe anën materiale me dy pjesët që thashë më lart, ku isha i plotësuar edhe para se të shkoja. Jeta është cikël i gjithçkaje.
Kur fiton diçka, mendon për atë që ke humbur…
Zhurma dhe rrëmuja thatë ju.
Vërtetë janë të mëdha, por për shpirtin janë si kripa në gjellë, sepse nuk janë vetëm ato: Këtu janë rrënjët për të gjithë ne. Në atdhe njeriu takon të parët e vet, fëmijërinë e vet, ndërsa sheh rrugën e shtëpisë, kthen në kujtesë pritjen e nënës në pragun e shtëpisë dhe ndjen hapat e fëmijëve të vet. Por këto gjëra e shumë si këto, që janë shpirtërore, ndjehen kur mungojnë: njëlloj si fryma që marrim, që kur e kemi, as që e mendojmë…
Edhe hapi që vendosa të hedh, është në funksion të kësaj pjese. I takoj asaj shtrese që kemi vuajtur persekutimin moral, shpirtëror dhe ekonomik, kemi jetuar në pothuaj një izolim shoqëror. Kisha babain në burg politik dhe i kujtoj rastet kur kishte vdekje apo gëzime në fshat dhe ne nuk ishim… hidhërimet kalonin, por kur kishte dasma, muzika që dëgjonim, na pengonte edhe të flisnim me njëri-tjetrin. Nuk e dinim çfarë kishim bërë por e shihnim se në çfarë përjashtimi social gjendeshim. Ndaj vendosa të kandidoj, për të treguar që ekzistojmë dhe meritojmë.
Pyetje 2. Nëse do të fitoni me 11 maj çfarë pozicioni politik do të mbani në parlament?
Përgjigje: Sistemi ynë politik është një demokraci me përfaqësim. Ndaj nuk është i drejtë koncepti që deputeti mund të bëjë ç’të dojë e të anojë nga të dojë. Kam takuar vetë dhjetra e qindra qytetarë. Kam folur para qindra të tjerëve. Po u zgjodha, unë e kam të qartë se kush më ka votuar, dhe nuk do devijoj në asnjë rast aspiratat e atyre që më kanë besuar.
Kalimi i deputetëve nga krahu në krah, si në merkaton e futbollistëve është një turp i madh. Mendoj nganjëherë: çfarë “rastësie” edhe në futboll merkatot janë çdo gjashtë muaj, dhe po çdo gjashtë muaj parlamenti konfiguron grupet në sesione…
Pyetje 3: Ju jeni nga demokratët e vjetër të zonës së Kurbinit. Çfarë mesazhi keni për demokratët që tju votojnë?
Kurbini është nga pjesët ku demokracia ka patur gjithnjë mbështetjen më të madhe.
Por nuk ka marrë asgjë mbrapsht prej saj.
Mbështetja është shpërdoruar, duke i menduar njerëzit që nga dhembshuria për demokracinë, do vazhdojnë të votojnë ata që vetëquhen “demokratë”.
Të votosh për ata që e kanë lënë vendin në 34 vite në po të njëjtat halle, atëherë mbështetja ngjason me atë që bën një baba, duke i çuar drogë në burg fëmijës, vetëm sepse dhembshuria për të mposht arësyen.
E kujtoj një takim në fillimet e demokracisë, kur deputeti i Pd-së filloi të fliste duke falenderuar pjesmarrësit që i kishin dhënë votën: fjalën ia ndërpreu njëri që i tha: “o Zotëri: nuk të kemi dhënë votën, por të kemi dhënë zemrën!”
Edhe unë u them që po më dhatë votën, obligimi im është sikur më keni dhënë zemrën. Dhe unë institut të nderit, njoh Fjalën.
Pyetje 4: Çfarë mendoni se duhet të bëni në parlament për qarkun Lezhë, pra cilat gjërat prioritare sipas jush?
Prioritet do jenë iniciativat ligjvënëse për të kthyer rininë në Atdhe, me suport në strehim dhe lehtësira në taksim.
Do synoj të vijnë investitorë amerikanë. Ky vend u rrjep nga kjo klasë politike. Të gjitha konçesionet kanë brenda kompani offshore, të cilat gjoja kryejnë shumicën e punimeve (kur në fakt nuk kanë asnjë punëtor) dhe nxjerrin nga vendi shumicën e fondit të konçensionit: pra vjedhin e thënë shkurt. Duke ikur kapitali, ikin edhe njerëzit.
Synojmë të kundërtën. Këto 34 vite na kanë mësuar një gjë: çfarë s’duhet të bëjmë.
Pyetje 5: Nëse vota juaj do të ishte vendimtare për krijimin e qeverisë së re kujt do tja jepnit votën; Ramës apo Berishës?
Përgjigje:
Ne, njerëzit e zakonshëm duhet të kemi modele sjelljeje që njerëzit e mëdhenj të njerëzimit kanë krijuar.
Unë jam shumë i inspiruar nga Churchill, dhe ky personalitet më erdhi në mendje sapo më pyetët. Sepse ky i është përgjigjur kësaj pyetjejej, kur i thanë ndërsa ishte kryeministër i Anglisë: Përse u bëre me një diktator si Stalini?
Ai tha: Do bëhesha prap. Përballë ishte Hitleri.
Edhe unë, jam i bindur që do bëhesha me Stalinin dhe kundër Hitlerit.
Kam pak vështirësi ta gjej cili është njëri e cili është tjetri.
Por për ta mbyllur.
Asnjë zgjidhje nuk vjen nga bixhozi: ata që permendet janë të vendosur si në një letër bixhozi: gjoja të kundërt, por të njëjtë.
Dhe e fundit:
Ju falenderoj nga zemra për mundësinë që të jem në Koha Jonë.
Ka qënë gjetje emri që vutë: Koha Jonë.
Nëse me bredinë do respektoni emrin e artë që keni, vërtetë do ikë koha e atyre. Do jetë koha jonë!