Një fushatë që frymëzon: Taulanda Jupi dhe revolucioni qytetar i komunikimit politik

spot_img

Në një peizazh politik ku klishetë, sloganet boshe dhe gjuha e drunjtë dominojnë, fushata e Taulanda Jupit ka sjellë një frymë ndryshe. Ajo është më shumë sesa një garë për vota: është një ftesë për bashkëkrijim, një përpjekje për të rikthyer qytetarinë si vlerë politike, dhe një shembull i një modeli komunikimi që respekton inteligjencën e publikut.

E ngritur mbi vlera të djathta moderne, por e realizuar me një ndjeshmëri estetike që rrallë shihet në politikë, fushata e Jupit është bërë një referencë për shumë politikanë të rinj dhe një pikë referimi për qytetarët. Nga takimet në lagjet e Tiranës, Kamzës, Vorës, Kavajës e Rrogozhinës, deri te ndërveprimi i përditshëm në rrjetet sociale, ajo ka krijuar një komunikim të hapur dhe të sinqertë, që nuk premton mrekulli, por angazhohet për ndryshim të vërtetë.

Fushata e saj ka në qendër të rinjtë. Jo si fasadë, por si subjekt politik me zë të plotë. Taulanda i sfidon hapur partitë tradicionale që e trajtojnë rininë si dekor protokollar. Ajo beson se Shqipëria e dekadave të ardhshme duhet dhe mund të jetë e tyre, nëse ata bëhen protagonistë realë të vendimmarrjes. “Nuk dua që të rinjtë të jenë pjesë e skuadrave të bindura. Dua që ata të jenë krijues të së ardhmes”, thotë shpesh ajo në takimet me studentë dhe të rinj profesionistë.

Në këtë kuptim, fushata e saj nuk është vetëm moderne në formë. Ajo është moderne në përmbajtje, në vizion dhe në mënyrën sesi e trajton qytetarin si bashkë-autor të një rruge të përbashkët. Kënga e saj e fushatës, “Fight Song” e Rachel Platten, është simbol i betejës së bukur për një Shqipëri që nuk dorëzohet. Një betejë për shpresë, për qëndresë dhe për ringritje morale e ekonomike.

Një tjetër veçanti është gërshetimi i estetikës me idetë. Si pedagoge arti, Taulanda e sheh komunikimin si pjesë të rëndësishme të politikës. Gjuha e saj është e qartë, por e zgjedhur, mesazhi është i fortë, por nuk humb kurrë elegancën. Komunikimi politik është për të një festë qytetarie, një mënyrë për të ndarë ide, jo për të sulmuar kundërshtarët.

Fushata e Taulandës është gjithashtu një reagim kundër sistemit të pakicës së privilegjuar, një kritikë e artikuluar ndaj një ekonomie të kapur dhe një politike që i shërben vetes. Në vend të kësaj, Jupi promovon politika që çlirojnë tregjet, që mbështesin iniciativën individuale, dhe që rikthejnë balancën midis lirisë ekonomike dhe përgjegjësisë publike.

Sot, shumë qytetarë të Tiranës i janë bashkuar fushatës së Taulanda Jupit, me shpresë, me ide, me entuziazëm. Ata nuk janë vetëm votues, por aleatë në një betejë për një Shqipëri që meriton më shumë. Dhe në qendër të kësaj fushate që frymëzon, është një grua e guximshme, që e jeton çdo ditë politikën si një mision për të ndërtuar të ardhmen bashkë me njerëzit

Latest articles

Related articles