nga Desada Metaj
Përgjimet e pjesshme të Erion Velisë që rrodhën nga dosja e tij në Gjykatën e Posaçme janë së fundmi një “armë” në duart e analistëve të Foltores për të sulmuar besueshmërinë e SPAK. Duke u marrë me detajet e përgjimeve, kryesisht biseda familjare, tashmë fokus i dashamirësve të Saliut janë prokurorët e SPAK dhe ata gazetarë që raportojnë nga ky institucion.
Në dijeninë time, Prokuroria e Posaçme nuk ka buxhet reklamash apo fonde për median. Kush e mbështet (përfshirë dhe mua personalisht) e bën për arsye që lidhen me besimin dhe shpresën. Askush nga ne nuk është në gjendje që pa konsultë juridike ta ndajë nëse përgjimet ishin apo jo të duhurat për masën e sigurisë ndaj Veliajt. Vendimi i Gjykatës së Posaçme nuk është zbardhur ende. Të përpiqesh që të deligjitimosh SPAK-un se nuk paska bërë përgjimet që kanë pas në mendje analistët e Saliut është qesharake.
E dimë që partitë politike kanë buxhete të majme në kohë fushate. Dhe që Berisha e Rama bashkë janë dueti i duhur për të demontuar SPAK. E dimë gjithashtu që pjesa më e madhe e atyre që dalin çdo mbrëmje nëpër studio televizive marrin rrogë që nuk ja paguan Altin Dumani. Vetëm se kur mendoni se paragjykoni apo kompleksoni ata gazetarë që besojnë se SPAK vlen më shumë se hajdutëria e politikës shqiptare, më vjen të them: më mirë papagall i SPAK-ut se sa i Ramës dhe Berishës!