Programi i PLL, Axhami: Paga mesatare 1 mijë euro për mësuesit, reformë arsimore

REFORMË KOMBËTARE ARSIMORE!

Partia Lëvizja e Legalitetit

Partia Lëvizja e Legalitetit beson se zhvillimi i vendit dhe rritja e shërbimit ndaj qytetarëve lidhen ngushtë me përmirësimin e cilësisë së arsimit. Sot, arsimi në Shqipëri është larg standardeve të dëshiruara, duke u shndërruar në një nga arsyet kryesore për emigrimin masiv të qytetarëve shqiptarë.

Në sistemin tonë arsimor mungon cilësia dhe stafi i kualifikuar pedagogjik. Niveli aktual i arsimit nuk arrin të ofrojë edukimin e duhur dhe përgatitjen e nxënësve, duke krijuar një terren të favorshëm për fenomene negative te të rinjtë.

Për këtë arsye, është urgjente dhe e domosdoshme një Reformë Kombëtare Arsimore.

Nëpërmjet kësaj reforme, synohet:

a. Përmirësimi i kurrikulave dhe sistemit të vlerësimit:
•Të ndryshohen kurrikulat ekzistuese dhe të modernizohen format e kontrollit dhe vlerësimit të nxënësve.
•Të eliminohet fiktiviteti në procesin mësimor dhe në rezultatet e arritura.

b. Rishikimi i Maturës Shtetërore dhe altertekstit:
•Të përmirësohen mënyrat e organizimit të Maturës Shtetërore, duke e bërë procesin më transparent dhe të drejtë.

c. Rritja e dinjitetit të mësuesve:
•Të rikthehet dinjiteti i mësuesve përmes shkollimit cilësor, trajnimeve të vazhdueshme dhe vlerësimit financiar.
•Brenda një mandati qeverisës, paga neto për mësuesit të arrijë 1000 euro në muaj.

d. Rishikimi i ligjit për arsimin e lartë:
•Të rishikohet mënyra e përzgjedhjes së të drejtës së studimit dhe të vendosen rregulla rigoroze për akreditimin e institucioneve shtetërore dhe private të arsimit të lartë.

e. Bursat ndërkombëtare dhe mbështetja për nxënësit ekselentë:
•Nga buxheti i taksapaguesve, të ofrohen bursa ndërkombëtare për studentët ekselentë, me detyrimin për të punuar 5-10 vjet në administratën shtetërore.
•Të ofrohen 1000 bursa prej 2000 eurosh për nxënës ekselentë, veçanërisht nga familjet në nevojë, me të njëjtin detyrim për punësim në administratë.

f. Mbështetja për degët e mësuesisë:
•Të ofrohen 2000 euro në vit për çdo student me mesatare mbi tetë që zgjedh degët e mësuesisë.
•Të hapet një shkollë e lartë pasuniversitare pedagogjike-didaktike, në formën e një magjistrature, për përgatitjen e kuadrove që do të drejtojnë arsimin dhe do të zhvillojnë politika afatgjata dhe afatmesme.

Me këtë reformë, synojmë të ndërtojmë një sistem arsimor të qëndrueshëm dhe cilësor, i cili jo vetëm do të përmirësojë standardet e edukimit, por edhe do të ndihmojë në ndalimin e largimit të trurit dhe forcimin e të ardhmes së vendit.

Faleminderit!

Latest articles

Related articles