Drejtori i IT-së në Policinë e Shtetit, Ervin Muça u pezullua dje duke u vendosur në “arrest shtëpie” pasi akuzohet për kopjimin pa autorizim të të dhënave të sistemit TIMS.
Gazetari Arsen Rusta ka mësuar të tjera detaje nga hetimi i Prokurorisë. Organi i akuzës konstaton se Muça paraqet rrezikshmëri shoqërore dhe duhet t’i hiqet aksesi nga të dhënat e Policisë dhe prania në zyrë. Dyshohet se pasi ka shkarkuar të dhënat e sistemit TIMS, Muça i ka kaluar të dhënat në kompjuterin e tij. Por përpara hetuesve drejtori i pezulluar i IT i ka mohuar këto akuza. Ai është zbuluar nga pamjet filmike përreth ambientit ku ruhen të dhënat e TIMS.
Ishte një kallëzim i AMP-së dhe insistimi i ambasadës amerikane që zbuloi ndërhyrjen në sistemin TIMS. Pas vendosjes në masë sigurie, Muça u pezullua edhe me urdhër të Muahmet Rrumbullakut. Ai është rekrutuar si punonjës në Policinë e Shtetit, në kohën kur Ministria e Brendshme drejtohej nga Bledi Çuçi.
Gazetari Arsen Rusta në një raportim për MCN Live zbuloi detaje nga hetimi.
Vet z.Muça e mohoi këtë denoncim. Ishte ambasada e SHBA-ve që trokiti në dyert e ministrit të Brendshëm Taulant Balla, duke kërkuar një hetim intensiv, pasi të dhënat sensitive, jo vetëm të shtetasve shqiptarë, por edhe atyre amerikanë, konsideroheshin delikate. Ata kërkuan zbardhjen e menjëhershme të ngjarjes. Prokurorja arriti të dokumentojë se në kompjuterin e Ervin Muçës kishte të dhëna që lidheshin me sistemin TIMS. Muça është futur me kodin e një vartësi, në dhomën e serverëve, ka shkarkuar materialet, dhe më pas ato u shpërndanë, duke shkaktuar një cenim të rëndë të besimit nga publiku te institucionet shtetërore. Ishte AMP që ekzekutoi masën e sigurisë, ai u pezullua edhe nga kreu i Policisë së Shtetit. Ai ka fshehur një të shkuar me probleme ligjore në Bari të Italisë, ku i ishte mohuar leja e qëndrimit, por edhe rezultonte i dypunësuar edhe në Kadastër. Pritet që nesër ai të dalë para gjykatës ku do të njihet me akuzën dhe masën e sigurisë. Jo vetëm ka të tjerë persona, por Prokuroria e Tiranës po vazhdon intensivisht hetimet me SPAK, për të kuptuar kush ishte personi që ka bashkëpunuar dhe qëllimi i nxjerrjes së të dhënave nga sistemi TIMS. A u bë për të fshirë të dhënat e ndonjë shtetasi, apo për të manipuluar, kjo mbetet e paqartë.



