Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me arrestimin e drejtorit te IT-së në policinë e shtetit. Përgjigjia e laboratorit të SPAK dërguar prokurores Anisa Qilimi ka vënë pikat mbi “i” për pozicionin dhe veprimet e dyshimta të Muçës. Sipas përgjigjes sistemi TIMS nuk ka nevojë për backup dhe as për kopjim të dhënash, pasi vetë rregullohet pa ndërhyrje mekanike nga jashtë.
Një burim i sigurt tha për “Top Channel” se prokuroria e Tiranës kërkoi asistencën e SPAK duke shmangur policinë shkencore në Tiranë, jo vetëm për shkak të laboratorit të sofistikuar që ka Prokuroria e Posaçme por edhe për evituar dyshimet për dekonspirimin të hetimeve. Një hard disk i sekuestruar, serverat dhe një kompjuter që i përket një nëpunëseje të identifikuar janë këqyrur e së bashku me to edhe pamjet filmike që tregojnë çfarë ndodhi 8 muaj më parë. Muça u asistua nga një punonjës i AKSH, ndërkohë që përdori kredencialet e vartësit të tij për ndërhyrjen e paligjshme që solli kopjimin e TIMS.
I pyetur nga prokuroria e Tiranës, i dyshuari këmbëngul se sapo kishte marrë detyrën dhe e kreu backup për të garantuar sistemin, një version qe hidhet poshtë shkencërisht nga këqyrjet dhe aktekspertizat dhe për këtë arsye ish-zyrtari u vendos nën hetim për ndërhyrje të paautorizuar në sistem.
Hetimet provojnë se ndërhyrja ndodhi mesnatën e dy gushtit 2023. Në 17 gusht i ngarkuari me punë i SHBA mbajti takim me ministrin e Brendshëm duke inkurajuar një hetim të shpejtë shprehu shqetësimin e amerikanëve. Menjëherë mbas masës kufizuese për ish-zyrtarin, Policia e Shtetit dhe Agjencia e Mbikëqyrjes reaguan duke e larguar nga detyra, ndërkohë që aktualisht për rrjedhjen e të dhënave nga TIMS-i dhe administrimin e tyre ka hapur siparin në fillim të prillit një komision hetimor