Një nga të akuzuarat e SPAK në lidhje me dosjen ‘5D’, është edhe Deborah Keçi, drejtoresha e shumësportëshit të klubit të Tiranës.
Ajo është njohur me akuzën zyrtare të SPAK, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” gjithashtu është pezulluar nga puna në këtë institucion që është në varësi të Bashkisë së Tiranës.
Në dosjen që SPAK ka në dorë së fundmi janë publikuar disa mesazhe midis Deborah Keçit dhe Nestor Muhametllarit, i cilësuar në këtë hetim si ‘truri’ i ‘5D’.
Gjatë kohës që përgatiteshin procedurat për tenderin, Deborah i kishte urdhrat e qarta që paratë të kalonin te kompania në fjalë. Siç rezulton edhe në dosjen hetimore, Keçi i jep Muhametllarit gjithë dokumentacionin paraprak për organizimin e tenderit, madje i jep dhe akses në një nga panelet e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.
Deborah i kërkon Muhametllarit që dokumentet të shihen me kujdes, duke iu druar ndonjë hetimi të mundshëm nga organet e drejtësisë. “Vetëm aman shikojini tamam se mos hamë ndonjë burg”. Keçi nuk e fsheh frikën për veprimet teksa komunikon në What’s App me administratorin e kompanisë “5D”, Nestor Muhametllari.