Kryedemokrati Lulzim Basha i cili ndodhet në SHBA si reporter i këshillit të Europës për Ukrainën, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Lulzim Basha ka theksuar se misioni i tij kryesor është që të kthejmë besimin tek politika, si një instrument ndryshimi për të mirë, tek politika me fytyrë njerëzore, tek politika që mbron dhe promovon interesat e njerëzve.
Zëri i Amerikës: Pas shpalljes non-grata të zotit Berisha ju e përjashtuat atë nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, por ju nuk arritët të mbanit partinë të bashkuar. Si e shpjegoni faktin që sot shumica e Partisë Demokratike mbështet zotin Berisha?
Lulzim Basha: Unë nuk do të futem në një debat numerik, i cili gjithësesi bazohet mbi perceptimet e një pale, apo një tjetre. Dua të them se të luftosh për të vërtetën, të luftosh për të drejtën vjen me sakrifica dhe me kosto të mëdha. Por të mos luftosh për to është krimi më i madh kur je në shërbim publik, në shërbim të qytetarëve, kur je në politikë, sepse praktikisht dëmton interesat e tyre, varros shpresat e tyre për një të ardhme më të mirë. Kjo është ajo që ka ndodhur në Shqipëri. Politikanët kryesorë në një teatër të sinergjizuar me njëri tjetrin, faktikisht kanë vrarë shpresën në Shqipëri, dhe problemi kryesor i shqiptarëve është që sot ata nuk besojnë tek institucionet demokratike dhe tek proceset zgjedhore. Ndaj misioni ynë kryesor është që të kthejmë besimin tek politika, si një instrument ndryshimi për të mirë, tek politika me fytyrë njerëzore, tek politika që mbron dhe promovon interesat e njerëzve dhe jo të një grushti politikanësh, që kanë 34 vjet, që nga rënia e komunizmit që urdhërojnë shqiptarët dhe vendosin për fatet e tyre.
Zëri i Amerikës: Megjithatë, shifrat nuk mund të anashkalohen lehtë. Numri i deputetëve, që iu mbështetin ju është më i vogël se numri i deputetëve, që mbështesin zotin Berisha. Siç u pa edhe me zgjedhjet e fundit vendore në Shqipëri, numri i votave për këtë krah të Partisë Demokratike ishte më i madh se pjesa tjetër…
Lulzim Basha: Prandaj nuk dua të futem në debate numrash, sepse në rastin e Partisë Demokratike, ajo nuk kandidoi në 51 bashki…
Zëri i Amerikës: Pyetja është …
Lulzim Basha: … ndërkohë që përsa i takon numrit të deputetëve, ata janë individë, që janë aty, sepse kanë qenë në një listë të mbyllur emërore të renditur nga kryetari i partisë, prandaj mendoj që t’i ikim debatit mbi numrat.



