BIRN zbulon: PS ‘peshkon vota’ nga Rithemelimi dhe u jep amnisti zyrtarëve të korruptuar


Nga Blerina Gjoka

Komisioni Parlamentar i Ligjeve votoi të martën ligjin për Amnistinë Penale duke amenduar draftin fillestar të qeverisë që përjashtonte nga ulja e dënimit të gjithë zyrtarët publikë të dënuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Sipas një amendamenti të minutës së fundit, i cili u dakordësua nga ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, edhe zyrtarët e dënuar nga GJKKO mund të përfitojnë ulje dënimi nga 1 deri në 1.5 vite.

Amendamenti u dorëzua në Komisionin e Ligjeve nga deputeti demokrat, Bledjon Nallbati, pjesë e grupimit të drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, i njohur si Rithemelimi. Ai shfuqizon gërmën c të nenit 5, pika 2, që përjashtonte nga kriteret e përfitimit të amnistisë së uljes së dënimit; “personat e dënuar, akuzat penale ndaj të cilëve janë gjykuar nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, sipas përcaktimeve të nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale”.

Pavarësisht se amendamenti i Nallbatit binte ndesh me variantin e qeverisë, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja e mbështeti atë.

“Kemi thënë nuk do të përfitojnë personat e dënuar për vepra penale dhe akuzat e GJKKO, por ne i japim të drejtë një personi që mund të jetë dënuar për vrasje dhe ia mohojmë këtë të drejtë një personi që mund të jetë dënuar për një vepër krejtësisht të lehtë nga Gjykata e Posaçme,” tha Manja në komision, duke shtuar se “sugjerimi është në përputhje me qëllimet e ligjit”.

Deputeti demokrat, Bledjon Nallbati nuk ishte i pranishëm në mbledhjen online dhe nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN deri në publikimin e këtij shkrimi. BIRN nuk mori gjithashtu përgjigje nga kreu i grupit parlamentar të PD, Gazmend Bardhi nëse amendamenti i dorëzuar nga Nallbati mbështetej prej tyre.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja mohoi përmes një mesazhi telefonik që qeveria të kishte ndryshuar qëndrim për amnistimin e zyrtarëve publikë të dënuar për vepra penale të korrupsionit apo shpërdorimit të detyrës.

“Amendamenti i Nallbatit u pranua pasi siguronte parimin e barazisë para ligjit,” tha Manja.

Deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj nga grupimi i drejtuar nga Lulzim Basha i bëri një interpretim tjetër pranimit që mazhoranca i bëri amendamentit të Nallbatit.

“Deputetët sjellin një amendament duke pasur në mendje personin që do të përfitojë,” tha Alibeaj, ndërsa shtoi se mazhoranca po bënte “peshkim votash” për të siguruar 84 votat e nevojshme për të miratuar Amnistinë Penale në parlament.

“Miratimin e një ligji me shumicë të cilësuar me peshkim votash individuale në Parlament unë nuk ua këshilloj, nuk është në të mirën e legjitimitetit të një akti,” tha Alibeaj, ndërsa kërkoi më shumë kohë për analizën e amendimeve të fundit.

Por ministri Manja iu kundërpërgjigj se kishte pasur kohën e mjaftueshme për t’u diskutuar ky ligj, i ardhur në Kuvend që para 3 muajsh. “Është çështje qasje e vullneti, do ta japësh votën për këtë kategori përfituese, po ose jo. Të tjera janë artifica politike, pasi ky ligj do 84 vota për të kaluar në seancë,” tha Manja.

Në komision u votuan dhe amendime të tjera duke rritur kategorinë e përfituesve nga Amnistia Penale. Socialistët pranuan dhe amendamentin e deputetit demokrat, Enkelejd Alibeaj për faljen e dënimit për persona që kanë marrë pjesë në në protestat anti-qeveritare, por duke rrëzuar limitin kohor të propozuar deri në 2020 dhe duke e çuar atë deri në janar 2024.

Sipas Manjës, nëse ky ligj kalon në seancë plenare përfitojnë 700 persona të dënuar dhe 2500 persona në shërbim prove, ndërsa ulje dënimi mund të përfitojnë nga 1200 deri në 1600 të dënuar.

Amnistia Penale pritet të futet për votim në seancën plenare të së enjtes, ku pavarësisht situatës së tensionuar politike, mazhoranca shpreson që të marrë vota edhe nga ra.

Latest articles

Related articles