“E ëma e Xhon Belushit hyri fshehtas në Shqipëri, mori ca dhe nga fshati dhe ia çoi te varri në SHBA”

spot_img
Advertisements

nga Timo Flloko

Kam pasur rastin të takohem për herë të parë dhe ta shoqëroj yllin shqiptar të Hollywood-it Xhejms (James) Belushi, vëllain e Xhon Belushit në Shqipëri, në vitin 1995 kur erdhi për një vizitë familjare me të atin, Adamin (emigruar nga Shqipëria më 1934, në moshën 14-vjeçare) dhe Robertin, të birin (14-vjeçar). Tre breza Belushi, atë, bir, nip.


Verën e atij viti e ruaj si kujtim të çmuar. Udhëtimi i tyre në vendlindje ishte plot ngjarje e befasi, me hare e lot malli. Qyteza, fshati i lindjes së Adamit, i atit të të famshmëve Xhon dhe Xhejms Belushi, ndodhet në kufirin juglindor me shtetin grek.

Adami e kishte lënë qytezën fëmijë dhe si shumë shqiptarë të tjerë kishte marrë udhën e kurbetit drejt Amerikës. Qyteza është një fshat i bukur malor, me shtëpi të stilit tradicional, me kishën mbi kodër dhe me një përrua që i shkon fshatit përmes. Përballë urës së gurtë gjendet një shtëpi e braktisur, rrënojë pothuaj, shtëpia e Belushëve. Thonë se pas vdekjes tragjike të John-it në mars të vitit 1982, Agnesa, e ëma e tij (bijë e mërgatës së hershme shqiptare, e lindur në Amerikë me prindër shqiptarë) kishte ardhur në Shqipëri incognito (fakt që as imagjinohej të shkruhej në shtypin zyrtar të asaj kohe, as të flitej për atë vizitë të çuditshme dhe as për famën e bujshme, madje as për vdekjen tronditëse të shqiptarit të famshëm që pushtoi Amerikën, aq më pak të mendohej, që ajo shtëpi e rrënuar të kthehej në një muze kombëtar nën mbrojtjen e shtetit komunist..!) Në botën tonë të hijes asokohe, jo vetëm Xhon Belushi, Stan Dragoti dhe ndonjë tjetër personalitet gjakshqiptar, por as Nëna Tereza nuk përmendej, si të ishin një mallkim për Shqipërinë e errët të asaj kohe.

Mbi atë urë, tregonin bashkëfshatarët, Agnesa, pa mundur të mbërrinte te pragu, ishte lëshuar në dënesë e me klithje mbi gurët e urës duke vajtuar “Xhon, bir” dhe, pastaj kishte marrë ca grushte dhe nga ai truall, për t’i shpënë në varrin e të birit, Xhonit, në kodrën e Abelit ku prehej. Më kujtohet një skenë e ngjashme e prekëse si kjo, në ditët që vizituam me Xhimin Qytezën dhe shtëpinë e të atit. Pashë se si ai me mallëngjim, të cilin rrekej ta fshihte, mblodhi ca gurë të asaj shtëpie dhe i futi në një valixhe, sjellë me vete enkas për këtë qëllim. Jetë njerëzish me dhimbjet dhe dramat e tyre, sado të famshëm, janë njerëz si të gjithë ne. Në Shqipëri, në takimet me kolegë, Xhimi kishte folur edhe për karrierën e të vëllait, Xhonit, yllit që u fik para kohe. Në thellësi i ndihej dhimbja për vdekjen tragjike të tij dhe u shmangej komenteve kur e pyesnin për hollësi… Dhimbjen për të vëllanë e ruante në shpirt si tabu përkrah zemëratës së shtresëzuar në vite për gjithë sa kishte bërë fati mizor ndaj John-it, mentorit shpirtëror e frymëzuesit të tij në art, me atë vdekje të panatyrshme e tragjike, në apogjeun e lavdisë dhe famës.

Vështirë të përfytyrohet se ç’mundim kërkon në atë botë kalvari i një karriere si e tij, as të përshkruhet me fjalë, kur ke parasysh ato lartësi ku mbërriti arti dhe fama e Xhon Belushit! Cili aktor nuk do ta kishte ëndërruar emrin, talentin, shkëlqimin e famës së tij, rolet që krijoi Xhoni para se ta linte këtë botë?! Ajo shkujdesje e tij nuk kishte qenë ndoshta vetëm faji i tij, por edhe një mallkim apo akt mizor i vetë natyrës, e cila e asgjëson krijesën e vet në një çast të papritur si hakmarrje ndaj rebelimit a sfidës së atij që i kapërcen kufijtë e lejuar… Por xhelozët e çdollojtë ndodh të kundërvihen haptazi e në nënshtresë.

Vite më parë kam takuar tipa të tillë, mosdashës e përjashtues të vlerave të kombit tënd… Pa i nënçmuar dijet e tyre, as mbiçmuar të tuat, kupton se disa syresh e kanë me hile, se në thelb janë jo vetëm të paragjykuar, por dhe të paditur dhe ambiciozë njëhershëm, mohues apriori e të liq, madje ndaj kulturës së vendit tënd… e çfarë nuk…? U ndesha njëherë me një tip të tillë në një grup (e quajta fat që ishim në prani të disa njerëzve, para të cilëve ia nxora në pah injorancën mikut…). A e dini ju zotëri se Nënë Tereza, simboli i mëshirës për fatkeqët në botë, është shqiptare, se Xhon Belushi, komiku i madh i Amerikës është shqiptar, se shpëtimtari nga kriza e impotencës mashkullore (pa dashur të lëndoj kënd e as ju nëse..) të 35 milion meshkujve amerikanë me të tilla simptoma është një shqiptar, laurat i Çmimit Nobel, Dr. F. Muradi? (A nuk e duan të këtillë një përgjigje goditëse? Në ndonjë rast – më të mundshmin – kështu duhet bërë.)

spot_img

Latest articles

Related articles