Kryeministri Edi Rama ka njoftuar për krijimin e një tjetër ministrie, atë të ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.
Për të drejtuar këtë dikaster, Rama ka propozuar emrin e Adea Pirdeni, e cila ka mbajtur postin e zv.ministres së drejtësisë.
Kreu i qeverise me anë të një postimi në rrjetet sociale shkruan se në këtë fazë të re zhvillimi të vendit dhe në kushtet kur Shqipëria po punon për kapitujt e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian kërkohet një qasje e re ndaj administratës publike.
Po ashtu, Rama shprehet se është e udhës që politikat antikorrupsion të qeverisë të harmonizohen më mirë mes institucioneve të ekzekutivit, me ekzigjencat e procesit sfidues të negociatave me BE për të gjitha institucionet e vendit, si edhe me vetë shoqërinë civile e sipërmarrjen.
“Për ta nxitur këtë qasje të re dhe adresuar sfidat e mësipërme, do t’i dërgoj Presidentit të Republikës propozimin për miratimin e një tjetër anëtari të ri të kabinetit qeveritar, si Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin. Këtë detyrë do ta kryejë zonja Adea Pirdeni, e cila ka kryer tre vjetët e fundit rolin e zv.ministres së drejtësisë dhe ka spikatur me lidershipin e me profesionalizmin e saj në rolin e zv.kryenegociatores me Bashkimin Europian, si edhe në mbulimin e kapitullit madhor të Gjyqësorit e të Drejtave Themelore”, shkruan Rama.



