SHBA, Wisner: Kemi 40 këshilltarë në institucionet e drejtësisë, ditët e pandëshkueshmërisë kanë marrë fund

spot_img
Advertisements

“Panorama”: Ju keni mbështetur reformën në drejtësi dhe sidomos hetimet e SPAK. A jeni të kënaqur me bilancin e SPAK deri tani?

I ngarkuari me punë Wisner: Mendoj se SPAK-ut i takon një meritë shumë e madhe për përpjekjet e tij. Provat janë te rezultatet. Po shohim më shumë dënime, më shumë sekuestrime, më shumë konfiskime, më shumë hetime dhe më shumë bashkëpunim ndërkombëtar në fushën e zbatimit të ligjit, çka do të thotë se SPAK po zhvillon reputacionin si organ serioz, i besueshëm ligjzbatimi me të cilin vendet e tjera mund të hyjnë në partneritet për të luftuar krimin e organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionin. Partnerët amerikanë dhe të tjerë ndërkombëtarë po rrisin bashkëpunimin me Shqipërinë si rezultat i kësaj. Kur njerëzit që kryejnë korrupsion si dhe figurat e krimit të organizuar hetohen, ngrihet padi kundër tyre, arrestohen, dënohen – këto tregojnë se ditët e pandëshkueshmërisë po i afrohen fundit. Po ashtu, u dërgohet një mesazh edhe aktorëve të tjerë të korruptuar.

“Panorama”: Para pak javësh, një grup prokurorësh të SPAK ishin në Departamentin e Shtetit, FBI, etj.. Çfarë prisni më tepër dhe për çfarë i inkurajoni ju prokurorët e SPAK në këtë fazë?

I ngarkuari me punë Wisner: Shqipëria është një aleate në NATO, një mike dhe partnere e Shteteve të Bashkuara. Duam të mbështesim çdo përpjekje për të çuar përpara integrimin në BE të Shqipërisë dhe trajektoren e saj trans-atlantike. Kjo përfshin mbështetjen tonë për reformën në drejtësi. Kemi një personel me mbi 40 veta të financuar nga SHBA në Shqipëri për të mbështetur dhe këshilluar institucionet e ligjzbatimit dhe drejtësisë. Për ju edhe për ne është një çështje e sigurisë kombëtare. Korrupsioni dhe krimi i organizuar pengojnë zhvillimin ekonomik, zmbrapsin investimin e huaj, minojnë demokracinë dhe shtyn ata që janë të rinj e ambiciozë që të kërkojnë mundësi në vende të tjera. Vizita e SPAK në Uashington, DC, muajin e kaluar demonstroi se sa të rëndësishme janë përpjekjet antikorrupsion të Shqipërisë për Shtetet e Bashkuara. Në takimet e nivelit të lartë me Departamentin e Drejtësisë, Departamentin e Shtetit, FBI dhe DEA, vizita i dha mundësi zyrtarëve të lartë të SPAK që të vendosnin dhe forconin partneritete me vlerë në institucionet e drejtësisë dhe zbatimit të ligjit të SHBA. Ndonëse SPAK është ende i ri si institucion, ne duam që të vazhdojë trajektoren për lart dhe presim që anëtarët e tij të ruajnë nivelin e integritetit që të gjithë shqiptarët duan të shohin tek ata

spot_img

Latest articles

Related articles